Subscribe

Efektivi i RENEA-s, Elham Elezi ishte vetëm 29 vjeç, kur humbi jetën 20 vite më parë në krye të detyrës. Sot, në kujtim të tij, por edhe të të gjithë efektivëve të policisë së shtetit, që kanë sakrifikuar jetën, u mbollën 140 pemë të reja në pjesën jugore të Parkut të Liqenit Artificial.

 

Në mbjelljen e fidanëve, së bashku me ish-kolegë dhe familjarë të efektit të RENEA-s, ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

 

“I falenderoj shumë miqtë dhe familjen e dëshmorit të policisë, Elham Elezi. Në një moshë shumë të re dhe në vite shumë të vështira për Shqipërinë, ai dha jetën për vendin. Sot, teksa flasim për patriotizëm, unë besoj se mënyra se si familja e tij dhe miqtë e tij e përkujtojnë atë është një formë tjetër patriotizmi; sot është e nevojshme ta duam qytetin, ta mbajmë pastër dhe të përkujtojmë të dashurit tanë, me një stol, me një pemë.”

 

Edhe pse ende një kantier, në pjesën jugore të Parkut të Liqenit Artificial pritet të shtohen  pistat për biçikletat e këmbësorët.

 

 “Shumë njerëz as nuk e dinin që ekzistonte kjo pjesë e parkut sepse e kishin zaptuar me ndërtime pa leje, 27 vite rrumpallë. Por, më në fund, jo vetëm është çliruar, por siç e shihni, jemi në mes të një kantieri ku po shtrohen pistat për këmbësorët, çiklistët, për ata që duan të vrapojnë e të merren me atletikë. Po ‘qëndiset’ i gjithë bregu jugor dhe shtigjet e liqenit me pemë të dhuruara nga qytetarët që i janë bashkuar këtij aksioni.”

 

Kryebashkiaku theksoi se aksioni për mbjelljen e pemëve të reja do të vijojë deri në 22 prill, që përkon me Ditën e Tokës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *