Mbillen pemë në liqenin e Farkës, Veliaj fton qytetarë e biznese të ndihmojnë për gjelbërimin e Tiranës
Bashkia e Tiranës po vijon aksionin për mbjelljen e pemëve në kryeqytet. Grupit të studentëve të degës së Arkitekturës, të cilët mbollën 300 pemë në parkun e Liqenit të Farkës, iu bashkua edhe kryetari Veliaj.
Ai ftoi qytetarët dhe bizneset që t’i bashkohen misionit për gjelbërimin e qytetit.
“Ne mbjellim sot për të pasur hije pas 10-20 vitesh, por këto pemë do të lidhin tokën, do e ruajnë nga erozioni dhe markojnë një hapësirë publike. I tregojmë publikut që ç’është e publikut mbetet e publikut dhe më vjen mirë që zona ka përfituar jo vetëm nga gjelbërimi, jo vetëm nga pedonalja e re fantastike e Farkës, por edhe nga rritja e vlerës së pronës”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se falë investimeve të bëra nga Bashkia, zonës së parkut të Liqenit të Farkës i është rritur ndjeshëm vlera e pronës.
“Këto prona, që deri dje shiheshin si zona periferike, pa interes, kanë pësuar rritjen më të madhe të vlerës së pronës. Për të gjithë familjet autoktone të Farkës, gjithë ky zhvillim që ka sjellë urbanizimi, investimet tona, rrugët, kanalizimet, ndriçimi, fibrat optike, të gjithë shërbimet e nevojshme, e kanë rritur, në disa raste, 4-5 herë vlerën e pronës. Kjo do të thotë se përfitojnë banorët e rinj të gjithë këtyre infrastrukturave, ndërkohë që kanë përfituar shumë edhe ata që janë vendalinj. U është rritur vlera e pronës, kanë shitur, kanë blerë, kanë pasur mundësi të investojnë. Jam vërtet krenar për këto punë që kemi bërë”, tha Veliaj.
Në fund, Veliaj u bëri thirrje të gjithë banorëve të Tiranës që të mbjellin pemë, ndërsa theksoi se ato që mbeten janë punët e mira në qytet./vizionplus.tv




