Kanë kaluar dy javë që kur tërmeti apokaliptik  goditi Turqinë dhe Sirinë e që deri më tani ka shkaktuar mbi 46 mijë viktima dhe mbi 100 mijë të plagosur. Dëmet janë kolosale në të gjitha zonat e shkatërruara.

 

Veli Arslan është një nga të mbijetuarit, i cili tashmë shpërndan ushqime për grupet e kërkim shpëtimit. Ai ka përshkruar momentet e tmerrit gjatë lëkundjeve të fuqishme, por edhe situatën të cilën po e kalon tani.

 

“Ishim në shtëpi gjatë tërmetit, sapo dëgjova zhurmën e kuptova që ishte tërmet por për fat të mirë shtëpia pësoi dëme të vogla, nuk u shemb totalisht. Mblodha fëmijët e mi dhe dolëm jashtë. Kam humbur shumë të afërm e të njohur. Më është dashur të fshij mbi 100 numra telefoni pasi ata kanë ndërruar jetë tashmë. Urioj që kjo fatkeqësi të mos i ndodhë askujt në botë.”

 

Grupet  e kërkim shpëtimit janë gati për ta shpallur  të përfunduar  operacionin për gjetjen e të mbijetuarve.

 

Më shumë se 250 mije persona u angazhuan për gjetjen e trupave nën rrënoja.

 

Shtete nga e gjithë bota kanë dhënë mbështetjen e tyre për këtë fatkeqësi, si për operacionin e kërkim shpëtimit ashtu edhe për rindërtimin e qyteteve të prekura.

 

Ndërkohë Kombet e Bashkuara bëjnë apel për 1 miliard dollarë ndihma për Turqinë dhe 400 milionë dollarë për Sirinë në këto ditë të vështira.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *