Më shumë se 1,300 persona raportohet të jenë ndaluar nga policia në marshet në gjithë Rusinë, përmes së cilave po kërkohet lirimi i kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny, i cili është burgosur fundjavën e kaluar teksa ka arritur në Moskë nga Gjermania.

Në shtetin gjerman, Navalny është trajtuar pas helmimit me agjentin nervor, Noviçok.

Protestat e së shtunës po konsiderohen si ndër më të mëdhatë kundër qeverisë në vitet e fundit.

Agjencia e lajmeve Reuters, ka vlerësuar që më shumë se 40,000 persona kanë marrë pjesë në protesta vetëm në qendër të Moskës.

Ministria e Brendshme ruse ka thënë se rreth 4,000 persona kanë qenë pjesë e protestave në kryeqytetin rus.

Agjencia tjetër e lajmeve, AFP ka raportuar se në Moskë ka pasur përleshje të dhunshme në mes të policisë dhe protestuesve.

Grupi OVD-Info, që vëzhgon aktivitetin policor në Rusi, ka thënë se autoritetet kanë arrestuar më shumë se 1,338 protestues në gjithë shtetin.

Policia ruse ka ndaluar edhe Yulia Navalnayan, gruan e kritikut të Kremlinit, në protestat në Moskë.

Navalnaya ka shkruar në Twitter, sa ka qenë brenda automjetit policor, se ajo është marrë nga protestat e 23 janarit.

Protestat fillestare kanë nisur në Siberi dhe Lindje të Largët, përkatësisht Khabarovsk, Vladivostok, dhe qytete tjera.

Pak pas nisjes së protestave në Moskë dhe Shën Petersburg, mediumi MBKh ka raportuar që më shumë se 15,000 persona kanë marrë pjesë në marshet në Lindje të Largët dhe Siberi.

Këto të dhëna janë bazuar në shifrat e mbledhura nga korrespodentët rajonalë të mediumit MBKh – organizatë e themeluar më 2017 nga biznesmeni rus i dëbuar, Mikhail Khodorkovsky.

Ndërkohë një korrespodent i Radios Evropa e Lirë në Moskë, ka raportuar se autoritetet janë duke arrestuar individë prej kur kanë nisur të mblidhen në Sheshin Pushkin të Moskës, edhe para nisjes së protestave atje.

Aty është përfshirë edhe ndihmësi i afërt i Navalnyt, Lyubov Sobol, i cili është ndaluar afër Sheshit Pushkin, pasi ka folur me përkrahësit e Navalnyt.

Në disa pamje nga Vladivostok është parë një numër i madh i forcave policore, që kanë tentuar të shpërndajnë protestuesit.

Në qytetin Yakutsk, protestuesit kanë qenë në rrugë, pavarësisht erërave të forta dhe temperaturave -50 gradë Celsius.

Para aksionit të koordinuar në të paktën 65 qytete ruse, autoritetet kanë ndaluar aleatët e Navalnyt dhe kanë paralajmëruar rrjetet sociale që të fshijnë postimet, në të cilat bëhet thirrje për pjesëmarrje në protestë.

Protestat po konsiderohen test për mbështetjen e Navalnyt, ndërkohë që mban mot tejet i ftoftë, është periudhë e pandemisë së koronavirusit, e problemeve ekonomike dhe zgjedhjeve që pritet të mbahen në muajin shtator.

Protestuesit janë të zemëruar rreth trajtimit që i ka bërë Kremlini Navalnyt pas shërimit të tij në Gjermani dhe rreth kërcënimit të madh që sheh presidenti rus, Vladimir Putin ndaj kritikut të tij 44-vjeçar.

“Kremlini ka qëlluar veten në këmbë me një fushatë krejtësisht histerike, duke tentuar të parandalojë protestat”, ka thënë Leonid Volkov, koordinator i Fondacionit të Navalnyt kundër Korrupsionit, për transmetuesin Current Time, pak para se të nisin protestat.

“Nëse protestat e 23 janarit nuk japin rezultat të menjëhershëm – lirimin e Aleksei Navalnyt – atëherë veprime të tilla do të përsëriten sërish”, ka thënë Volkov.

Autoritetet kanë rritur presionin ditëve të fundit ndaj Navalnyt dhe përkrahësve të tij, përmes një serie bastisjesh dhe ndalimesh, duke dhënë shenja për tentime të shtuara për shtypje të protestave.

Ekipi i Navalnyt u ka bërë thirrje rusëve që të injorojnë paralajmërimet zyrtare për të qëndruar në shtëpi.

Zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh, ka shfrytëzuar rrjetin social, Twitter për t’iu bërë thirrje rusëve që t’iu bashkohen protestave pasi ajo është dënuar për organizimin të protestave.

“E arrestuar për nëntë ditë. Epo, ju e dini çka duhet të bëni. Më 23 janar në ora 14:00 në rrugët kryesore të qyteteve tuaja. Ejani!” ka thënë Yarmysh.

Para nisjes së protestave, universitetet dhe kolegjet në gjithë Rusinë është raportuar t’iu kenë bërë thirrje studentëve të tyre që të mos marrin pjesë në protesta.

Disa prej tyre janë cituar të kenë thënë se studentët mund të jenë subjekte të masave disiplinore, përfshirë përjashtimin.

Rrjeti më i madh social rus, VKontakte ka bllokuar të gjitha faqet që kanë pasur të bëjnë me protestat, pasi vëzhguesi kombëtar për telekomunikime, Roskomnadzor, ka njoftuar se do të gjobisë kompanitë e rrjeteve sociale për inkurajim të të miturve për pjesëmarrje në protesta.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë më 22 janar se “është e natyrshme që ka paralajmërime… për pasojat e mundshme që lidhen me mosrespektim të ligjit”, meqë ka thirrje për “ngjarje të paligjshme, të paautorizuara”.

Navalny, kritik i Kremlinit, ka thënë pas shërimit se beson që helmimi ndaj tij është urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *