Në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës ka nisur seanca për rivlerësimin e masave të sigurisë të dhëna tre ditë më parë për 20 persona të arrestuar në lidhje me çështjen e mbetjeve të kompanisë “Kurum”.
Nga 33 persona gjithsej që akuzohen për vepra të ndryshme penale, 20 prej tyre kanë dalë sot para gjykatës, në prani të avokatëve mbrojtës, për shqyrtimin e masave të sigurisë të vendosura ndaj tyre.
Ndërkohë, Policia e Durrësit nuk ka mundur ende të arrestojë personat kryesorë të dyshuar si përgjegjës për trafikimin e mbetjeve të rrezikshme nga porti i Durrësit drejt Tajlandës. Bëhet fjalë për administratorët e shoqërisë “Kurum”, si edhe drejtues të shoqërisë “Sokokaj”, e cila ka kryer eksportin e mbetjeve.
Të dyshuarit akuzohen për disa vepra penale, mes të cilave “kontrabandë me mallra të ndaluara”, “transport i paligjshëm i mbetjeve”, “menaxhim i paligjshëm i mbetjeve”, “falsifikim dokumentesh”, “pastrim i produkteve të veprimtarisë kriminale”, “kontrabandë nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, si dhe “shpërdorim detyre”.
Bëhet fjalë për 2816 ton mbetje të rrezikshme që u nisën me 102 kontejnerë drejt Tajlandës në korrik të vitit 2024, por pas denoncimit nga organizata Rrjeti i Bazelit (Basel Action Network), anija me 102 kontejnerë u kthye në Durrës.
Pas bllokimit të mbetjeve, Prokuroria nisi hetimet, duke marrë 11 mostra nga kontejnerë të ndryshëm, të cilat u dërguan për analizë në një laborator të specializuar në Itali. Sipas rezultateve, mbetjet përmbanin kryesisht oksid zinku dhe oksid hekuri, si dhe metale të tjera të rënda si kalium, mangan, plumb, kalcium dhe squfur.





