Kryeministri Edi Rama ka vizituar Qendrën Sociale “Jonathan” në Tiranë, ku ka folur për masat e reja të qeverisë për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të veçanta, si dhe për mbështetjen ndaj kujdestarëve të tyre.
Rama bëri të ditur se në kuadër të Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi Ndryshe 2026–2030, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, parashikohet dyfishimi i pagesës së mbështetjes ekonomike për fëmijët me aftësi të veçanta, si dhe zgjerimi i shërbimeve në komunitet, akses më i mirë në arsim, punësim dhe rehabilitim.
Kryeministri tha se mbështetja e re do të prekë rreth 11 mijë fëmijë dhe të rinj, ndërsa theksoi se masat synojnë të lehtësojnë edhe barrën e familjarëve që kujdesen për ta.
“Ajo që dëgjojmë dhe flasim për fëmijët me aftësi të veçanta është një punë e përditshme, përkushtim i përditshëm me të gjitha vështirësitë, por edhe me shumë dashuri dhe shumë shpresë”, tha Rama.
Sipas tij, dyfishimi i pagesës ishte i nevojshëm për shkak të rritjes së kostove të jetesës.
“Mbështetja për këta fëmijë ishte bërë e pamjaftueshme duke pasur parasysh kostot e jetesës. Nuk janë pak, janë 11 mijë fëmijë dhe të rinj që do të përfitojnë nga kjo masë”, u shpreh kryeministri.
Rama njoftoi gjithashtu një masë të re për kujdestarët, veçanërisht për prindërit që për shkak të kujdesit të vazhdueshëm ndaj fëmijëve me aftësi të veçanta nuk mund të jenë të punësuar.
“Një nënë që i përkushtohet një fëmije me aftësi të veçanta e ka të pamundur të shkojë në punë. Duke qenë se nuk shkon në punë, përballet me problemin e mungesës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ne vendosëm që buxheti i shtetit të paguajë sigurimet për të gjitha nënat dhe kujdestarët, njësoj sikur ata të ishin në punë”, deklaroi Rama.
Plani Kombëtar i Veprimit për Personat me Aftësi Ndryshe 2026–2030 synon, sipas qeverisë, të rrisë përfshirjen sociale dhe të krijojë më shumë mundësi për një jetë më të pavarur për personat me aftësi të kufizuara.





