Bashkimi Europian është treguar tolerant në procesin e divorcit me Britaninë e Madhe, por tashme durimit I ka ardhur fundi. Kështu është shprehur presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker në një intervistë për televizionin shtetëror Italian RAI.

 

“Deri tani ne e dimë se çfarë thotë parlamenti britanik, por nuk dimë se për çfarë do të mund të thotë po”, u shpreh ai ndërsa shtoi se Britania do të jetë në gjendje të arrijë një marrëveshje në ditët në vijim. Junker madje nuk e përjashtoi mundësinë e një referendum të dytë, por theksoi se kjo çështje është ekskluzivitet i popullit britanik dhe jo i unionit.

 

Këtë të hënë parlamenti do të votojë një sërë opsionesh alternative të Brexit. Mes tyre, janë edhe opsionet e daljes së Britanisë nga BE pa marrëveshje, parandalimi i divorcit pa marrëveshje, bashkim doganor, ose mundësia e një referendumi të dytë.

 

Një pjesë e mbështetësve të kryeministres britanike gjithashtu duket se kanë humbur durimin. 170 nga 314 ligjvënësit e saj i kanë dërguar një letër Theresa May,  ku i kërkojnë një divorc me ose pa marrëveshje brenda muajve të ardhshëm.

 

Mbretëria e Bashkuar do të largohej nga BE më 29 mars, por bllokimi e detyroi Mej të kërkojë shtyrje të afatit.

 

Tashmë Brexit është shtyrë më 12 prill, por gjithçka mund të ndryshojë nëse kryeministrja britanike del me një opsion tjetër që mund të jetë ose zgjedhje të parakohshme, ose një divorc më të butë që do të thotë, një Britani jashtë BE-së, por marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike, vazhdimin e kontributeve buxhetore dhe lejimin e lëvizjes së lirë të njerëzve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *