Maskat për fytyrën e kanë bërë jetën shumë më të vështirë për një pjesë të popullatës – për njerëzit me aftësi të kufizuara të dëgjimit. Ata mbështeten në leximin e buzëve dhe shikimin e shprehjeve të fytyrës për të komunikuar me njerëzit që nuk dinë gjuhën e shenjave. Por ka një zgjidhje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Maxim Moskalkov njofton.

 

Brenda Schertz drejton programin amerikan për Gjuhët e Shenjave në Universitetin Cornell. Kur filloi pandemia, ajo nuk e kishte parashikuar që maskat do të shkaktonin kaq shumë probleme. Shurdh-memece qysh në lindje, Schertz kuptoi se bisedat e përditshme me njerëzit që mbanin maska ishin thuajse të pamundura.

 

Ashtu si Schertz, mbi 48 milionë amerikanë vuajnë nga humbja e dëgjimit të plotë ose të pjesshëm dhe përballen me të njëjtin problem.

 

… Komunikimi mund të bëhet pa folur në shumë mënyra duke përdorur shprehje të fytyrës, duke përdorur gjeste. Dhe maska papritmas bllokon rrugën e vetme të komunikimit me njerëzit që nuk përdorin gjuhën e shenjave“, thotë Brenda Schertz.

 

Kjo e bën më të vështirë shkuarjen në farmaci apo dyqan për njerëzit me probleme të dëgjimit – fytyrat e farmacistëve janë të mbuluara nga maska.

 

“Për ata individë që punojnë nëpër dyqane, ajo që do t’u thoja në lidhje me heqjen e barrierave është – nëse dikush nuk u përgjigjet komenteve tuaja verbale, bëhuni krijues, tregoni dhembshuri, tregohuni të duruar. Mendoni arsyen përse ai person nuk mund të përgjigjet”, shpjegon Brenda.

 

Anne McIntosh, profesore në Universitetin e Merilendit ‘Global Campus’ që ka lindur me probleme dëgjimi, ka krijuar një maskë të veçantë me një dritare plastike transparente që lejon të shihet goja. Kjo është maska e parë e tillë që është miratuar zyrtarisht nga Administrata Amerikane për Ushqimin dhe Barnat. Ideja për të bërë një maskë të tillë i lindi shumë vite më parë – pasi iu desh të bënte një lindje me operacion (C-Section).

 

“Infermierët, mjeku, anesteziologu dhe madje im shoq, të gjithë u veshën me pajisje kirurgjikale nga koka tek këmbët, përfshirë maskat. Dhe unë nuk isha në gjendje të lexoja buzët dhe të ndiqja ato që thuheshin”, shpjegon Anne.

 

Pjesa e vogël transparente në maskë lejon leximin e buzëve dhe kuptimin e shprehjeve dhe emocioneve të fytyrës së personit. Mbi të gjitha, këto maska janë të nevojshme në spitale – madje edhe para pandemisë kur personat me probleme të dëgjimit të përballeshin me kominikimin me mjekët. Por situata aktuale i përkeqësoi gjërat.

 

“Mund të kesh një foshnje, një të porsalindur për disa ditë, javë ose madje muaj – pa parë një buzëqeshje njerëzore sepse të gjithë janë të maskuar! Kjo me të vërtetë ndikon në aftësinë e tyre për t’u lidhur me të tjerët, me ata që kujdesen për ta… “, thotë Anne McIntosh.

 

Sipas të dhënave të siguruara nga OBSH, 5% e popullsisë së botës – rreth 466 milionë njerëz – kanë forma të ndryshme të dëmtimeve të dëgjimit dhe mund të përfitojnë shumë nga maskat që lejojnë të shihen fytyrat e njerëzve./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *