Është rënduar bilanci, duke shkuar në 4 numri i viktimave nga atentati i rëndë në Shkodër, ngjarje e ndodhur më 30 tetor, ku u vranë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe dy qytetarë të pafajshëm, Bashkim dhe Flutura Basha.
Bashkim Basha ndodhej prej 4 ditësh në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, por ditën e sotme, sipas njoftimit zyrtar, raportohet se ai ka humbur jetën.
Lexo edhe :
Related Posts
“Në vijim të informacionit të dhënë më 30.10.2024, për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër edhe shtetasi B.B., 67 vjeç, drejtuesi i motomjetit që u përplas nga automjeti i shtetasve H. L dhe A. B, të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve nga të shtënat me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.
Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftim.
30 tetori i përgjakshëm
Hamza Lici, Arlind Bushati dhe Flutura Basha ishin tre viktimat e atentatit të 30 tetorit në Shkodër, teksa sot humbi jetën edhe Bashkim Basha. Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, i cili është një emër i njohur në botën e krimit, ndërsa Arlind Bushati është djali i Xhemal Bushatit, që ishte kandidat për Bashkinë e Shkodrës në vitin 2023, nën siglën e PD. Bushati ishte në makinë me Licin në momentin e ngjarjes dhe mori një plumb në kokë. Disa orë më vonë ai ndërroi jetë në spital. Pas të shtënave, makina me të cilin lëviznin Lici dhe Bushati humbi drejtimin dhe shkaktoi aksident, duke përplasur një motoçikletë. Në të udhëtonin një çift bashkëshortësh, Flutura dhe Bashkim Basha.
Kush është Ibrahim Lici
Ibrahim Lici akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës në maj të vitit 2021. Në 13 shkurt të këtij viti, ai u arrestua në Turqi, por disa javë më vonë ai u la i lirë nga autoritetet turke si pasojë e mungesës së marrëveshjes së ekstradimit drejt vendit tonë. Hamzai, viktima e 30 tetorit, foli nga Turqia, duke thënë se i vëllai ishte i pafajshëm. Por konfliktet mes grupeve vijuan. Akuzat ndaj Ibrahim Licit u ngritën pas dëshmisë së 15 vjeçarit, Ergys Malja. Fillimisht Malja, ka treguar se ishte ai që kishte nxjerrë nga shtëpia Endri Mustafën dhe së bashku ishin drejtuar në zonën e quajtur “Gropat e Eskavatorit”. Sipas 15-vjeçarit, papritur i ka dalë në rrugë, Ibrahim Lici me një motor, i cili e ka qëlluar me pistoletë, Endri Mustafën, duke e lënë të vdekur në vend.
Ndërsa vetë i mituri Ergys Malja, ka treguar se është larguar me vrap duke mundur të shpëtojë, shkruan Vizionplus.tv. Vetëm një javë pas krimit të rëndë, policia arrestoi Ergys Maljan si bashkëpunëtor në këtë vrasje. Fillimisht Malja, u dënua me 24 vite burgim nga gjykata e Shkodrës, por për shkak të moshës, dënimi i tij u reduktuar, duke u dënuar përfundimisht me 12 vjet heqje lirie. Lici nga arratia ka mohuar të gjitha akuzat, madje ai ka pretenduar se ditën e ngjarjes ka qenë në Tiranë në shoqërinë e shokëve dhe një vajze. 31-vjeçari Ibrahim Lici është dhe i dyshuari kryesor i vrasjes së dy vëllezërve Bilali në Shkodër. Astrit dhe Brahim Bilali, më 30 mars 2019, u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi në portën e shtëpisë. Ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër. Astrit Bilali, i cili mbetur i vdekur së bashku me të vëllanë e tij, është babai i Astmer Bilalit, ish kampionit të boksit i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.
Lidhja e Endri Mustafës dhe Astmer Bilalit
I ndjeri Endri Mustafa dhe Astmer Bilali kanë qenë shokë me njëri-tjetrin dhe bashkëpunëtorë në disa ngjarje kriminale. Në vitin 2016, Endri Mustafa ra në prangat e policisë pasi u akuzua për një grabitje me armë zjarri. Lidhur me këtë ngjarje aso kohe u shpall në kërkim edhe Astmer Bilali.
Si nisen përplasjet mes fiseve Lici dhe Bajri dhe saga e përgjakshme që nga 2018
Përplasja mes fiseve Lici dhe Bajri në Shkodër, ka regjistruar disa viktima. Gjithçka dyshohet se ka nisur që prej atentatit në janar të 2018 ndaj biznesmenit Lulzim Kulla. Shpërthimi i telekomanduar shkaktoi tetë persona të plagosur, mes të cilëve dhe Kulla. Më 18 qershor, u vra në servisin e tij teksa po riparonte brava makinash shtetasi Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje. Ende ajo ngjarje është pa autor, ndërsa riparuesi i bravave u qëllua me plumb në kokë, duke mbetur i vdekur në vend. Më 15 korrik të vitit të 2018, poshtë banesës që kishin me qira ekzekutohen çifti Boran Bërçana, ish-polic dhe Silvi Ndoci, ndërsa bashkë me ata në makinë ndodhej edhe fëmija 3 vjeç, që u shpëtoi mrekullisht plumbave. Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri dhe po ashtu ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje në atentatin ndaj Lul Kullës në janarin e 2018-ës dhe vrasja dyshohet se është kryer nga fisi Lici në Shkodër, që kanë lidhje me Lul Kullën, duke qenë se është dhëndri i tyre. Më 10 gusht të 2018-ës vritet Fatbardh Lici, pjesëtar i familjes Lici, vëllai i të fortit Sokol Lici dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Mustaf Lici.
Kjo vrasje dyshohet se erdhi si hakmarrje nga fisi Bajri, pas vrasjes së ish-policit Bërcana. Më 23 gusht zhduken shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, dhe ende sot nuk janë gjetur. Këta dy shtetas dyshohet se kishin lidhje me fisin Lici, ndërsa mendohet se pasi janë zhdukur, janë vrarë. Pa kaluar shumë ditë, vjen vrasja e Arjan Ferracakut, i cili u qëllua teksa ndodhej me kalin e tij në zonën e Livadheve, më 1 shtator të vitit të 2018. Arjan Ferracaku, pak minuta para se të vritej, kishte komunikuar me Astrit Bilalin dhe ky i fundit e kishte thirrur që të dalë me kalë, pasi Astriti do shoqëronte disa turistë nga Kosova në Liqenin e Shkodrës. Më 14 nëntor po 2018 vritet Fatos Ferracaku, kushëri i Arjan Ferracakut. Fatos Ferracaku u vra në mes të ditës, teksa po shiste peshk në lagjen “Rus”.
Më 20 mars 2019 ndodh një tjetër vrasje, teksa ekzekutohet me 20 plumba Ferdinand Polia, por që është një vrasje që është zbardhur nga Policia dhe nuk ekziston asnjë lidhje me përplasjet e grupeve Bajri-Lici, por me disa ngjarje të ndodhura në Itali, ku viktima ka qenë pjesë e një grupi kriminal atje, 9 vite më parë, shkruan Vizionplus.tv. Në shtator të 2019, pas fillimit të serisë së krimeve, policia ndërhyri duke arrestuar anëtarët e dyshuar të grupit kriminal “Bajri”. 12 persona përfshi Astmer Bilalin, djali dhe nipi i viktimave të atentatit të së shtunës, u arrestuan në Shqipëri, Hollandë, Belgjikë e Spanjë.
Një nga viktimat e 30 tetorit Hamza Lici, vëllai i Ibrahimit, i shtohet kësaj serie hakmarrëse të nisur prej shtatë vitesh. /vizionplus.tv











