Subscribe

Ilir Meta doli i qetë para mediave për të thënë se marrëveshja politike Rama-Basha garantoi jo vetëm një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, por shmangu dhe rrënimin e demokracisë. Megjithatë, Meta nënvizoi se 25 qershori do prodhojë të papritura.

 

“Shqiptarët ishin të rrezikuar nga zgjedhjet pa opozitën. Tani të gjithë duhet të jenë të qetë sepse tani ka garë dhe padyshim do të ketë surpriza. Demokracia është surprizë. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë surprizë, të njëanshme jo.”

 

I pyetur nëse LSI-ja, partia ku ende militon, deri më 24 Korrik kur do të jetë zyrtarisht President i Republikës, rrezikon nga marrëveshja PD – PS, Meta ndau bindjen se forca të cilën krijoi, do jetë fituese.

 

“Jam i bindur që LSI do të jetë forcë e parë në zgjedhjet që po vijnë. Ka qenë forca e parë që ka sakrifikuar çdo post për zgjedhje me standarde. Se çfarë synon njëri dhe tjetri këto janë kalkulime partiake.”

 

Meta iu rikthye deklaratës së bërë në kulmin e krizës politike, kur deklaroi se LSI ishte e gatshme të dorëzonte të gjitha postet qeveritare, nëse do i shërbente zgjidhjes së krizës.

 

“LSI është sjellë në mënyrë të përgjegjshme dhe ka qenë forca e parë që ka insistuar për dialog dhe ka qenë e gatshme për krijimin e qeverisë së besimit. Tani e kemi. LSI ka qenë e gatshme për të dhënë të gjitha postet.”

 

Më herët, kryetar i LSI-së Petrit Vasili, në një konferencë për shtyp shprehur shqetësimin sa i takon mënjanimit të regjistrimit në KQZ të koalicioneve parazgjedhore.

 

Ndërkohë, të gjithë drejtuesit e lartë të LSI kanë shmangur përgjigjen nëse do ketë një koalicion pas zgjedhor me PS.

 

 

Pjesë nga komunikimi i Metës me gazetarët

 

Meta: Dua të shpreh kënaqësinë time pasi sot jemi të gjithë më të qetë dhe të lehtësuar se dy ditë më parë kur zgjedhjet dhe demokracia ishin në buzë të greminës. Dua të falënderoj të gjithë ata faktor konstruktiv në mënyrë të veçantë SHBA dhe BE-në që dhanë kontributin e tyre për të pasur zgjedhje gjithëpërfshirëse në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kenë zgjedhje sipas standardeve. Kjo është e rëndësishme për vendin dhe të ardhmen e tij dhe është mjaft e rëndësishme qetësia për qytetarët. Seanca do të mblidhet në momentin kur të jenë të gatshme të gjitha procedurat për zbatimin e kësaj marrëveshje e cila ka disa elementë. Së dyti, shqiptarët ishin të rrezikuar nga zgjedhjet pa opozitën. Tani të gjithë duhet të jenë të qetë sepse tani ka garë dhe padyshim do të ketë surpriza.

 

Pyetje: A ka qënë LSI për këtë lloj marrëveshje?

 

Meta: Dua t’ju siguroj që LSI është sjellë në mënyrë të përgjegjshme dhe ka qenë forca e parë që ka insistuar për dialog dhe ka qenë e gatshme për krijimin e qeverisë së besimit. Tani e kemi. LSI ka qenë e gatshme për të dhënë të gjitha postet. LSI e ka forcën tek rinia dhe jo tek ministrat.

 

Pyetje: A ju ngjason kjo me vitin 2008?

 

Meta: Fat i madh që bulevardi është i lirë dhe demokracia është në bulevard. Do të ketë surpriza.

 

Pyetje: Çfarë nënkuptoni me surpriza?

 

Meta: Demokracia është surprizë. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë surprizë, të njëanshme jo.

 

Pyetje: Me cilën forcë politike mund të bënte koalicion pas zgjedhjeve?

 

Meta: Është një pyetje për kryetarin e LSI. Dua t’ju siguroj që do të respektoj çdo vendim që do të marrë LSI-ja nga 25 qershori deri më 23 korrik.

 

Pyetje: A është dëmtuar Lëvizja Socialiste për Integrim nga marrëveshja midis kryeministrit Rama dhe kryetarit të PD-së, Basha?

 

Meta:  Jam i bindur që LSI do të jetë forcë e parë në zgjedhjet që po vijnë. Ka qenë forca e parë që ka sakrifikuar çdo post për zgjedhje me standarde. Se çfarë synon njëri dhe tjetri këto janë kalkulime partiake.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *