Gjykata Kushtetuese me shumicw votash vlerësoi sot se marrëveshja me Italinë për emigrantet është në përputhje me ligjin themeltar të shtetit, duke i hapur rrugë miratimit të saj në parlament.
Gjyqtarët rrëzuan ankimimin e 30 deputetëve të Partisë Demokratike dhe në momentin që vendimi i arsyetuar do të publikohet në fletoren zyrtare, kuvendi nuk ka më asnjë pengesë për të ratifikuar marrëveshjen e firmosur mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes Giorgia Meloni.
Lexo edhe :
Related Posts
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë vendosi: Deklarimin e protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane ‘Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit’, në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi.”
Në vendimin e gjykatës arsyetohet së pari se procedura e negocimit dhe nënshkrimit të marrëveshjes është realizuar në zbatim të Kushtetutës dhe nuk ishte e nevojshme marrja e plotfuqisë nga ana e presidentit.
Gjyqtarët gjatë shqyrtimit kanë analizuar të gjithë elementet e marrëveshjes. Në lidhje me territorin ku do të qëndrojnë personat që kërkojnë azil në Itali, kushtetuesja gjykon se Protokolli për Migracionin nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ai nuk përbën marrëveshje që ka të bëjë me territorin në aspektin fizik.
Në lidhje me garantimin e të drejtave të njeriut kushtetuesja vë në dukje se mbi të gjithë personat që do të qëndrojnë në kamp do të aplikohet edhe ligji shqiptar edhe ai italian.
“Gjykata Kushtetuese konstatoi se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar.”
Sipas këtij arsyetimi për çdo shkelje të ligjit apo krim brenda kampit, emigrantët do të përgjigjen para autoriteteve shqiptare krahas atyre italiane.
Protokolli i firmosur mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes Giorgia Meloni në 6 nëntorin e vitit të kaluar parashikon ngritjen e një kampi në Gjadër të Lezhës, ku do të strehohen emigrantët e paligjshëm që janë në pritje të procedurave për azil në Itali.
Sipas protokollit kapaciteti maksimal i kampit është 3 mije persona dhe kjo marrëveshje do të zbatohet për 5 vjet./vizionplus.tv