Nga kjo e martë marrëveshja e pensioneve me Italinë ka nisur zbatimin në praktikë. Përfituesit pritet të arrijnë në gjysmë milioni shqiptarë.
Kujtdo që i ka lindur e drejta për të përfituar mund të aplikojë në zyrat e sigurimeve shoqërore të Shqipërisë dhe të Italisë.
Murat Klloboçishti është një ish-emigrant shqiptar që ka punuar mbi 10 vite në Itali, përfitues i kësaj marrëveshjeje.
“Kjo është një drejtësi e vonuar, por siç thotë dhe shprehja më mirë vonë se kurrë. Janë marrëveshje politike që duan kohën e tyre”, thotë ai.
Murat Klloboçishti është një nga mijëra shqiptarët e parë që emigroi me anije nga Durrësi dhe nisi punë në Itali në vitin 1992.
“Unë jam një nga emigrantët, më saktë jam pjesë e atij brezi që u larguan në ‘91 nga Shqipëria dhe filluan punë në ’92. Jemi pak a shumë 20-30 mijë individë. Pa këtë marrëveshje do të më humbin 10 vite kontribute në Itali, por në Shqipëri i kam vitet e nevojshme për pension. Unë u ktheva në Shqipëri, por shqiptarët nuk janë ende të qartë për aplikimin, ndaj është i nevojshëm një sensibilizim më i madh për këtë qëllim”, thotë ai.
Pesë janë fushat që mbulon kjo marrëveshje. Pension pleqërie, familjar, pagesë invaliditeti, barrëlindje dhe pagesë papunësie.
Në faqen e sigurimeve shoqërore shqiptare është publikuar edhe një udhëzues i cili tregon mënyrën se si aplikohet dhe dokumentacioni përkatës. Në varësi të rastit, aplikimet janë dhe fizikisht dhe online në faqen E-Albania. Por si për shqiptarët në Itali dhe italianët në Shqipëri, aplikimi dhe plotësimi i dosjes bëhet edhe në zyrat e sindikatave pa pagesë.
“Ne kemi afro 1000 zyra në çdo qytet italian. Prej disa vitesh kemi një zyrë në Tiranë për italianët që përfitojnë nga kjo marrëveshje dhe mirëpresim çdo qytetar që kërkon asistencë. Sfida më e madhe e kësaj marrëveshje është gjetja e viteve të punës në Shqipëri”, tha Beskida Aliaj, përfaqësuese e sindikatës.
Pritshmëritë janë që çdo vit rreth 500 individë do të jenë subjekt i aplikimit për pension pleqërie./vizionplus.tv