Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u zhvillua eventi “Match Makers 2026”, një platformë që bashkon investitorë, zhvillues dhe partnerë ndërkombëtarë, me qëllim krijimin e bashkëpunimeve të reja dhe promovimin e potencialit të tregut shqiptar.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama ftoi sipërmarrësit e huaj të investojnë në Shqipëri, pasi vendi përfaqëson një treg në zgjerim.
Lexo edhe :
“Sot Shqipëria reflekton kohën e botës. Pak javë më parë, panairi botëror në Berlin tregoi që Shqipëria është një vend që të gjithë duhet ta shohin dhe të hidhen e të investojnë sikur s’ka të nesërme. Jemi gati të mirëpresim, të ofrojmë dhe të lidhim bizneset, njerëzit dhe ambiciet”, u shpreh kryeministri.
Në këtë event “Concord Group”, grupi më i madh i investimeve në Shqipëri, u prezantua me projektin prestigjioz “Marina Orikum”, një nga më të rëndësishmit në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe turizmit në Shqipëri.
“Ne prezantohemi sot me projektin ‘Marina Orikum’, i cili tashmë është një nga projektet më unikë, si nga arkitektura ashtu edhe nga mënyra e organizimit të godinave me njëra-tjetrën, për ta kthyer atë në një destinacion të ri për një jetesë më unike në bregdetin e Shqipërisë. Më vjen mirë që është rritur kërkesa për blerje nga ana e të huajve”, tha Ermira Brozi, drejtuese e marketingut dhe shitjeve në “Marina Orikum”.
Ky projekt synon të transformojë zonën e Orikumit në një destinacion të ri turistik dhe rezidencial, duke përfshirë mbi 1000 njësi banimi, hapësira komerciale me brende ndërkombëtare dhe një hotel me 5 yje, potencialisht nën brendin botëror “NH Collection”.
“Ne kemi një prezencë të madhe në Europë me rreth 350 hotele gjithsej dhe jemi shumë të lumtur që po zgjerohemi edhe në vende të tjera, siç është rasti i Shqipërisë. Ne po shfrytëzojmë potencialin e këtij vendi dhe të rivierës shqiptare, duke vendosur këtu edhe projektin tonë në ‘Marina Orikum’”, u shpreh Oscar Andujar, zv.president për zhvillimin global, “Minor Hotels Group”.
I konceptuar nga arkitekti i njohur ndërkombëtarisht Chris Precht dhe studio e tij, projekti përfaqëson një standard të ri zhvillimi në bregdetin shqiptar.
Punimet për “Marina Orikum” kanë nisur dhe projekti parashikohet të përfundojë brenda 50 muajve, duke krijuar një destinacion unik në një nga zonat më strategjike të rivierës shqiptare.
Evente të tilla si “Match Makers” shërbejnë si një platformë e rëndësishme për të promovuar Shqipërinë si një destinacion me potencial të lartë investimi, veçanërisht në sektorin e turizmit dhe infrastrukturës bregdetare./vizionplus.tv






