Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka komentuar dorëheqjen e ministrit të  Brendshëm Fatmir Xhafaj.

 

Manjani e vlerëson ministrin e ri të Brendshëm Sandër Lleshin, që e cilëson si veshja e sheqerosur e pilulave të helmuara të Ramës. Ai arsyeton se me këto lëvizje Rama po kërkon paqe me opozitën e cila i duhet pasi në Perëndim askush nuk i hap më derën.

 

Përmes një statusi në Facebook, ish-ministri paralajmëron opozitën që të mos i jap dorën Ramës pasi do të thotë të shkelmosh vendin, duke e quajtur madje tradhti ndaj vendit.

 

“Kujdes.

Pa dyshim që njeriu i mirë Sandër Lleshi, politikisht i shërben Edi Ramës si veshja e sheqerosur e pilulave të helmuara. Edi Ramës i duhet me çdo kusht një detantë (klimë e ç’tensionuar) politike, për të kthyer opozitën në parlament. I duhet kjo klimë edhe për të tejkaluar disi në kohë skandalet e pritshme që lidhen tashmë me të. Arrestimet e të vetëve, telendisja ne publik e të përgjuarve pushtetarë të tij dhe shkarkimi i Fatmir Xhafës janë shenja të qarta që Rama kërkon paqe me opozitën.

Që të mos kemi asnjë iluzion, të gjitha këto veprime ishin të paramenduara nga Rama. Asgjë nuk ka ardhur si sherr i momentit, siç thonë disa media. Atij i duhet opozita në Parlament sepse nuk i hap më askush derën në perëndim! Çështja është se nëse Opozita ia ofron këtë paqe e i jep dorën Ramës, praktikisht i jep shkelmin vendit!

Cilido faktor opozitar që e bën këtë gjë do mbahet mend për tradhti ndaj vendit, demokracisë dhe progresit! As ndërmjetësimet e huaja nuk e shpëtojnë vendin, nëse do tolerohej shkatërrimi i shtetit, i demokracisë dhe ekonomisë! Tani është radha e opozitës të forcojë radhët dhe të vihet në krye të popullit të çoroditur.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *