Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklario se testet e shpejta për koronavirusin do të mbërrijnë brenda dhjetorit. Në një videomesazh, Manastirliu u shpreh se po forcohen masat për të përballuar pandeminë, duke nisur nga vaksnimi kundër gripit, ashtu edhe shtimi i kapaciteteve spitalore.

 

“Prej mëse 9 muajsh, i gjithë sistemi ynë shëndetësor është në gatishmëri të plotë në përballje me këtë virus që po sfidon mbarë botën. Ne po vazhdojmë të fuqizojmë kapacitetet tona në gjithë sistemin shëndetësor duke filluar nga përmirësimi i testimit dhe gjurmimit, dhe përfshirja e testeve të shpejta brenda dhjetorit do të bëjë të mundur kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit. Bazuar në planin tonë të vjeshtë-dimrit kemi siguruar vaksinimin falas ndaj gripit për grupet e riskuara për 368 mijë qytetarë dhe sot ka mbërritur sasia e fundit prej 230 mijë vaksinash. Si pjesë e planit tonë ka filluar rimbursimi i paketës së barnave falas të çdo qytetari të diagnostikuar me Covid19. Spitali Covid 4 dhe spitalet rajonale janë gati për t’u shërbyer pacientëve sipas skenareve në strategjinë e vjeshtë-dimrit. Për t’iu përgjigjur nevojave dhe për të mbështetur stafet tona kemi punësuar deri tani 270 profesionistë të shëndetit.”

 

Ministrja apeloi qytetarët që të tregohen të përgjegjshëm dhe zbatojnë masat në fuqi, me qëllim që ato të japin efektin e duhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *