Manastirliu reagon për tenderat sekretë: Jemi të hapur për hetime
Ministria e Shëndetësisë reagoi pas lajmeve që qarkullojnë në media për tenderat sekretë dhe kërkesën e dytë të SPAK për informacion për këtë çështje.
Ministrja u shpreh e gatshme për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë dhe për të dhënë çdo informacion të nevojshëm.
“Në vijim të një artikulli të botuar sot në media, informojmë qytetarët se në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, më datë 8 Maj 2020 është firmosur shkresa përcjellëse (faksimile bashkëlidhur) me dokumentacionin e të gjitha procedurave të kërkuara nga organet e drejtësisë. Siç e kemi deklaruar nga dita e parë, jemi të hapur për hetime nga organet e drejtësisë. E vërteta është se asgjë nuk është fshehur dhe dosjet janë në dritën e diellit. Që prej datës 27 Prill, në Ministrinë e Shëndetësisë po vijon punën Kontrolli i Lartë i Shtetit, për të gjitha procedurat e zhvilluara në situatën e pandemisë, për mjetet e nevojshme për mbrojtjen e stafeve mjekësore dhe aparaturat jetëshpëtuese për pacientët e prekur nga COVID19.”
Në njoftimin për media thuhet se dokumentacioni që i është vënë në dispozicion KLSH po i vihet edhe SPAK.




