Manastirliu iu lutet qytetarëve: Kemi transmetim komunitar të virusit, respektoni rregullat
Pas hapjes tërësore dy javë më parë, Shqipëria ka raportuar ditë e fundit shtim të numrit të rasteve me koronavirus, si dhe rritje të pacientëve në Spitalin Infektiv.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shpreh se normaliteti i ri nuk do të jetë kurrë si ai i para Covid-19, për sa kohë që asnjë vend i botës nuk ka mundur të gjejë ende, as kurën, as vaksinën.
Ajo u shpreh se asnjëri nuk mund t’i lejojë vetes që pas rihapjes, të relaksojë dhe neglizhojë masat individuale të higjenës dhe distancimit soial, apo edhe të protokolleve, pasi sipas saj, kjo do të ishte një “recet për përhapje të shpejtë të infeksionit”.
“Në situatën ku ndodhemi sot, e cila ishte brenda pritshmërive tona kur planifikuam rihapjen, është e domosdoshme që gjithësecili të marrë përgjegjësitë e veta qytetare, me qëlim që të ruajë veten dhe të tjerët. Sistemi shëndetësor është në nivelin më të lartë të gatishmërisë dhe puna në terren nuk është ndalur për asnjë çast, për zbulimin e çdo rasti dhe kontakti, për të këputur zinxhirin e infeksionit. Megjithatë, edhe mjekët, heronjtë e gjithëpranuar të këtyre kohëve, pak mund të bëjnë pa bashkëpunimin e qytetarëve, ashtu siç ka ndodhur që në ditën e parë të kësaj luftë. E kam thënë edhe herë tjetër, pak vlen t’i lëvdojmë dhe falënderojmë, nëse vetë nuk bëjmë secili pjesën tonë, për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Ju lutem, vazhdojmë të bashkëpunojmë për të mos e çuar dëm sakrificën e këtyre muajve, kur të gjithë bashkë, qeveri dhe shoqëri dhamë një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit në mbrojtje të shëndetit, nëpërmjet zbatimit të rregullave të higjenës dhe distancimit fizik, si dhe protokolleve të nxjerra nga institucionet shëndetësore”, shkruan Manastirliu.




