Subscribe

Presidenti i Francës Emmanuel Macron këtë të hënë do të zhvillojë një vizitë dy ditore në Beograd ku do të takohet me homologun serb Alexandër Vuçiç si dhe me përfaqësues të tjerë të politikës së vendit.

 

Përtej bashkëpunimit politik dhe ekonomik, kjo vizitë konsiderohet tejet e rëndësishme në kontekstin e vijimit të dialogut Prishtinë-Beograd, pas anulimit të samitit të Parisit.

 

Gjithashtu ka edhe qëndrime që e lexojnë vizitën e  presidentit francez si një përpjekje për tu imponuar në politikën e Ballkanit Perëndimor. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se pas vizitës së homologut të tij francez në Serbi, pret një mbështetje të fortë nga Franca në rrugën evropiane, por edhe në drejtim të zgjidhjes së problemeve në Kosovë.

 

Ndërkohë ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, tha se shpreson se presidenti francez, gjatë vizitës në Beograd, do të ndëpresë lojën me “taksën”, të cilën e ka vendosur Prishtina ndaj mallrave serbe, si dhe do të japë garanci “se ajo do të përfundojë”.

 

Vizita e fundit e një presidenti francez në Beograd ka qënë ajo e Jacques Chirac, 18 vjet më parë, prandaj kjo e sotmja konsiderohet një ngjarje e madhe në aspektet politike, ekonomike dhe kulturore, si dhe në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe të të dy vendeve.

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe ai francez Macron, pritet të nënshkruajnë rreth 20 marrëveshje bashkëpunimi në fushën e ekonomisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *