Subscribe

Bota duhet të përgatitet për një luftë të gjatë midis Rusisë dhe Ukrainës, paralajmëroi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, duke komentuar sulmet e shtetit rus në fqinjin e tij jugor.

“Mund t’ju them një gjë këtë mëngjes: kjo luftë do të zgjasë”, tha Macron në panairin vjetor të bujqësisë në Paris.

“Kjo krizë do të zgjasë, kjo luftë do të zgjasë dhe të gjitha krizat që vijnë me të do të kenë pasoja. Duhet të jemi të përgatitur”, tha Macron.

Sipas tij, presidenti rus, Vladimir Putin, ka vendosur “në mënyrë të njëanshme” të rikthejë luftën në Evropë.

Forcat ruse kanë nisur sulmet në Ukrainë mëngjesin e 24 shkurtit, me urdhër të Putinit.

Ai ka thënë se ka autorizuar “një operacion të posaçëm ushtarak”, për të eliminuar, sipas tij, kërcënimin serioz nga Ukraina.

Qëllim i operacionit, ka thënë Putin, është çmilitarizimi i fqinjit jugor të Rusisë.

Paraprakisht, ai i ka shpallur të pavarura dy rajone separatiste në lindje të Ukrainës.

Macron është parë si një figurë kyçe në përpjekjet për të shmangur konfliktin, duke folur vazhdimisht me Putinin.

Ai tha se gjatë ditës së shtunë do të mbledhë Këshillin e mbrojtjes emergjente, të përbërë nga ministra të lartë dhe zyrtarë të sigurisë ushtarake, për të diskutuar situatën në Ukrainë./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *