Në Francë, gara presidenciale mes Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen kulmon këtë të dielë, ndërsa dy kandidatët do të përballen sot në debatin e parë televiziv.

 

Paralelisht, agjencia e mashtrimit të Bashkimit Evropian akuzon kandidaten e ekstremit të djathtë dhe anëtarë të tjerë të partisë së saj nacionaliste për  keqpërdorim të fondeve publike gjatë kohës që shërbenin në Parlamentin Evropian.

 

Balotazhi i 24 prillit po ndiqet me vëmendje nga shumë vëzhgues politikë.

 

Disa vlerësojnë se Marine Le Pen nuk ka qenë kurrë më pranë fitores. Analistët, megjithatë paralajmërojnë se një fitore e Le Pen do ta vendoste BE-në në një krizë ekzistenciale dhe do të ndalonte integrimin e mëtejshëm në union.

 

SOPHIE PORNSCHLEGEL   QENDRA E POLITIKAVE EVROPIANE

 

“BE-ja aktualisht ka ngarkesa në axhendë kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë, për krizën e sundimit të ligjit, për axhendën klimatike dhe ne kemi zgjedhjet evropiane që vijnë në 2024-ën. Pra, janë dy vjet gjatë të cilave duhet të ecet vërtet përpara, dhe mendoj se me Marine Le Pen në Pallatin Elysee kjo mund të jetë shumë më e vështirë sesa me presidentin aktual”.

 

Ndërkohë Marine Le Pen ka një histori të gjatë të mbështetjes së një axhendë anti-evropiane dhe fitorja e saj do të ndalonte integrimin e mëtejshëm në BE.

 

“Ajo ka thënë se ishte për Frexit, daljen e Francës nga Bashkimi Evropian në vitin 2012. Në vitin 2017 ajo tha se Franca duhej të largohej nga eurozona dhe tani nuk po e thotë më këtë, por parimet bazë të politikave së saj nuk kanë ndryshuar, kështu që ajo do ta vendoste BE-në në një krizë ekzistenciale, pasi do të ishte kundër çdo lloj politike të BE-së dhe çdo lloj përparimi që mund të bëhet në Bruksel”.

 

Të dy kandidatët përballen me sfidën e sigurimit të mbështetjes së votuesve me prirje të majtë pas eliminimit të kandidatëve të tyre në raundin e parë.

 

Vetëm disa ditë përpara votimit përfundimtar në ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës, Le Pen është shumë pranë presidencës, por rritja e saj spektakolare në sondazhet e opinionit, u duk se ka ngecur disi pas raundit të parë, ndërsa Emmanuel Macron intensifikoi fushatën e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *