Për ish-kreun e bandës famëkeqe të Durrësit, Lulzim Berisha, Gjykata e Posaçme vendosi burg pa afat. Në seancën që i verifikoi masën e sigurimit, ai kundërshtoi deklarimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi, i cili rrëfeu krimin e 2005, vrasjen e Klodian Saliut, për të cilin Lulzim Berisha gjendet sot pas hekurave.
“Nuk e njoh fare atë njeri, nuk e kam takuar asnjëherë. Nëse më provoni një kontakt më dënoni sa të doni. Njëlloj siç më ra akuza tjetër, njëlloj do të bjerë edhe kjo”, tha Berisha në seancë.
Lulzim Berishës, tashmë, do t’i duhet të përballet me akuzën e vrasjes si grup i strukturuar kriminal ndaj armikut të tij të dikurshëm, Klodian Saliu, ngjarje kjo e ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës.
Për këtë arsye, shteti shqiptar e shpalli atë në kërkim në vitin 2020, ndërsa për mungesë provash i rrëzoi akuzën për vrasjen e biznesmenit tjetër, Vajdin Lame, krime këto që ndodhën brenda 48- orëve.
Edhe avokati i tij e kundërshtoi masën e sigurisë, njëlloj edhe rrëfimet e Luftar Reçit.
“I ashtuquajturi bashkëpunëtor i drejtësisë, Luftar Reçi, një mitoman permanent që nga dita kur është futur në sistemin e burgjeve, e deri më sot vazhdon të bëjë kërkesa dhe të krijojë artificiale, duke mashtruar institucionet shtetërore. Përfitoj nga rasti për t’i bërë thirrje ndërgjegjes profesionale të prokurorëve të SPAK, duke theksuar se përdorimi i bashkëpunëtorëve të drejtësisë për interesa të caktuara apo për statistika në media cënon rëndë sigurinë kombëtare, sigurinë e jetës dhe sigurinë e pronës. Duhet të hiqet dorë nga ky standard ekstra-ligjor. Prokurori duhet të përkushtohet përgjegjësisë dhe pavarësisë në ushtrimin e detyrës”, tha avokati Detar Hysi.
I shumëkërkuari Lulzim Berisha, u kap në mes të dhjetorit të dy viteve më parë me identitet bullgar dhe pamje fizike tërësisht të ndryshuar në Spanjë, ndërsa u ekstradua të martën vonë drejt vendit tonë./vizionplus.tv





