Shënim: Shkrimi është dërguar posaçërisht për Vizion Plus

 

 

Lugina e Preshevës është territor I ndarë nga gjeo-etnikumi Shqiptar. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja padrejtësisht nuk janë pjesë e Kosovës. Deri tani diskursi politik në Kosovë dhe Shqipëri nuk e ka perceptuar si të tillë e debati i hapur ka dhënë shpresë. Ka mundësi që në Kosovë të flasin për këto tri komuna për shkak të kalkulimeve politike. Ata që flasin për bashkëngjitje kanë për synim potencialin votues që është në Kosovë nga kjo anë, ndërsa atë që janë kundër flasin ashtu për kredenca politike nga ambasadat e huaja. “Shkëmbimi i territoreve” apo “korrigjim të kufijve” mund të ndodh vetëm me pajtimin e dyja palëve e që është mundësia më e vogël në këtë ekuacion, ndryshe as Serbia e as Kosova nuk janë të gatshme për luftë për deri sa NATO është prezentë. Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk janë për ndarje të Kosovës, por janë për bashkim me Kosovë në kuptimin e komunave kadastrale, jo ndryshe, jo vizatim të kufijve të ri. Këtu ka të bëjë drejtpërdrejt me ribashkimin me Kosovën të komunës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Vullnet ky plebishitar i theksuar në referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992. Pra, pa ndarjen e veriut të Kosovës. Gjatë gjithë bisedimeve që nga Rabuje, Viena, e tash së fundmi në Bruksel – Lugina e Preshevës as nuk ka qenë objekt trajtimi e as subjekt bashkëbisedimi. Andaj, është vështirë të besohet se në fundin e dialogut Kosovë – Serbi do të trajtohet edhe pse ka qenë kërkesë konstante e politikanëve shqiptar nga këto tri komuna. Megjithatë, çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet të jetë objekt trajtimi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky proces është me shumë të panjohura dhe jo i qartë. Ajo çfarë është e qartë që qoftë “Shkëmbimi i territoreve” apo “korrigjim të kufinjëve” duhet të bëhet mes dy subjekteve të barabarta dhe me status të njohur reciprok. Deri më tash flitet për mundësi të diskutimit. Lugina e Preshevës, qoftë me Deklaratën politike të 14.07.2018 qoftë me deklaratat dhe kumtet e më hershme e qoftë me Platformën Politike të 14 janarit 2006 statusin e saj politike ka ndërlidhur me fatin e serbëve në Kosovë. I përkthyer si parim reciprok e që nuk do duhej që ky parim, shqiptarët të amputoheshin nga e drejt historike për vendosur për fatin e tyre. Përderisa shqiptarët e Luginës së Preshevës hyjnë në një garë të pabarabartë në Serbi, në Kosovë serbëve iu sigurohen edhe vende vakante në Kuvend, iu sigurohen ministri dhe iu sigurohen institucione të cilat mundësojnë realizimin e të drejtave të tyre. Ndërsa shqiptarëve iu mohohet e drejta më themelore qoftë edhe shpërfaqjes simbolike të identitetit kombëtar në Luginën e Preshevës Në fund të kësaj “Grand Finale” pres njohje reciproke si dy shtete (Kosovë-Serbi). Sigurisht edhe një marrëveshje historike të paqes për shkak të stabilitetit të Ballkanit nga se kjo i duhet Serbisë për tu çliruar nga agonia mitike, i duhet Kosovës për të u çliruar nga izolimi dhe për të dëshmuar potencialin shtet-ndërtues dhe i duhet Bashkimit Evropian për të dëshmuar kapacitetin diplomatik në arenën ndërkombëtare. Shkëmbimin e Luginës së Preshevës me veriun e Kosovës nuk e pres, por si zakonisht kjo historia na ka mësuar që jo rrallë herë të ndodhë e pamundshmja. Çfarë mbetet e qartë, është vullneti i shqiptarëve të Luginës së Preshevës i treguar përmes referendumit, që ka si përpjekje bashkimin me Kosovën dhe jo ndarjen e Kosovës apo shkëmbimin e territoreve.

 

 

Autori i shkrimit është nënkryetari i Partisë për Veprim Demokratik në Bujanoc, dhe shef i grupit të asambleistëve të kësaj partie në Kuvendin Komunal të Bujanocit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *