Agjencia e shëndetësisë e Kombeve të Bashkuara tha se luftimet e vazhdueshme midis milicive rivale për kontrollin e kryeqytetit të Libisë, Tripoli, ka lënë së paku 147 njerëz të vrarë.

 

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se 614 njerëz janë plagosur po ashtu, prejse grupi i njohur si Ushtria Kombëtare e Libisë ka nisur një ofensivë të madhe ushtarake më 5 prill.

 

Misioni i OBSH-së në Libi u bëri thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin shkaktimin e dëmeve kolaterale në spitale, ambulanca dhe te punonjësit e shëndetësisë.

 

Mbi 18,000 njerëz janë zhvendour nga luftimet, bënë të ditur Kombet e Bashkuara.

 

Libia është e ndarë midis qeverive rivale në lindje dhe përëndim, secila e mbështetur nga disa milici.

 

Luftimet e fundit kanë vënë përballë Ushtrinë Kombëtare të Libisë, të udhëhequr nga komandanti Khalifa Haftar, dhe milicitë e lidhura ngushtë me qeverinë në Tripoli, e cila mbështetet nga OKB-ja.

 

Libia, vend i pasur me naftë në Afrikën e Veriut, është shkatërruar nga dhuna, paqëndrueshmëria politike dhe përpjekjet për pushtet qëkur sunduesi Muammar Gaddafi është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *