Teksa frika për një luftë të mundshme është në rritje, liderët botërorë vijojnë përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet . Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas, Volodimyr Zelenski , duke e siguruar atë se Perëndimi do të përgjigjet me vendosmëri ndaj çdo agresioni rus.

 

Ndërkohë, gjatë ditës, kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të vizitojë Kievin ku pritet të takohet me Zelenskin në përpjekje për të shtensionuar krizën,ndërsa të martën do të udhëtojë drejt Moskës. Ukraina i ka kërkuar Kremlinit të zhvillojnë një takim brenda 48 orëve, ku do të diskutojnë në lidhje me situatën.

 

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se Moska mund të ndërmarrë një sulm ushtarak në ditët në vijim, duke krijuar një pretekst të rremë për një ndërhyrje të mundshme. Por këshilltari i Sigurisë Kombëtare në një intervistë për mediat e huaja deklaroi se Uashingtoni nuk mund të caktojë ditën që mund të sulmohet Ukraina, por SHBA duhet të jetë e përgatitur për çdo skenar. Presidenti i Ukrainës, Zelenski ka nënvizuar se nuk ka asnjë provë bindëse për një sulm të mundshëm në ditët në vijim.

 

Ndërkohë, përgatitjet në mbrojtje të Ukrainës janë shtuar. Sipas një njoftimi të ministrisë së Mbrojtjes, Kievi ka marrë raketa antiajrore dhe municione nga Lituania. Gjithashtu, dy avionë të tjerë me rreth 180 ton municione kanë  mbërritur nga Shtetet e Bashkuara. Tashmë më shumë se 10 vende kanë reduktuar personelin e ambasadave, ndërsa u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen menjëherë nga Ukraina.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *