Për të treguar vëmendjen e shtuar të Shteteve të Bashkuara ndaj Ballkanit Perëndimor, tre shtete të rajonit vizitohen nga i dërguari i posaçëm dhe koordinatori i Qendrës për Angazhim Global, James Rubin.

 

Zyrtari i lartë amerikan do të qëndrojë në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, por do të anashkalojë Kosovën dhe Serbinë. Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, në Podgoricë dhe në Shkup Rubin do të takohet me zyrtarët për të “forcuar mbështetjen për nismat kundër dezinformimit”.

 

“Ai do të diskutojë përpjekjet e Rusisë, Kinës dhe aktorëve të tjerë që përdorin dezinformatat për të minuar demokracinë dhe sigurinë kombëtare në mbarë botën” thuhet në sqarimin e DASH.

 

Sakaq, në Tiranë zyrtari i lartë amerikan do të marrë pjesë në takime me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, që janë të akredituar në vendet e Ballkanit. Qendra për Angazhim Global funksionon si pjese e DASH dhe synon që të integrojë dhe koordinojë përpjekjet e Qeverisë amerikane për luftën kundër dezinformimit.

 

James Rubin ka shërbyer në të kaluarën si ndihmës sekretar i Shtetit e është angazhuar ndjeshëm gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Ai ka mbrojtur vendimin për ndërhyrjen ushtarake ndërkombëtare kundër forcave serbe. Për angazhimin e tij për çlirimin e Kosovës në 2013-tën është nderuar me Medaljen Presidenciale të Meritave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *