Nënkryetari i LSI, Luan Rama nuk kurseu sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama për sjelljen e këtij të fundit këto ditë. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Rama tha se kryeministri po krijon panik tek qytetarët me videot dhe mesazhet që shpërndan në rrjetet sociale.

 

“Lufta si koncept, por edhe si metaforë nëse do të përdorej, si realitet apo edhe si kërcënim eventual, si filozofi, si retorikë apo si mentalitet dhe psikologji qeverisëse, krijon panik, krijon konfuzion, mbjell frikë e disfatizëm, ndaj qasja edhe me diletantizmin grotesk të grimasava të kryeministrit aktor, jo vetëm nuk është e duhura, por është për fat të keq në të njejtën “frekuencë” me vetë mikrobin! Burrat e shtetit dhe udhëheqësit e përgjegjshëm nuk venë kujën e panikut dhe me popullin e tyre komunikojnë pikësëpari me gjuhë njerëzore e të thjeshtë, më vërtetësi e sinqeritet, me besim dhe urtësi siç bëri pak ditë më parë edhe kancelarja Merkel, e siç na ofron shembuj të tillë historia e afërt dhe e largët. Përdorimi prej kryeministrit tonë i pamjeve filmike me të sëmurë që vuajnë nëpër spitale e Italisë apo vendeve të tjera,gjë që nuk e bën asnjë kryeministër tjetër në botë, me idenë për të sensibilizuar qytetarët, është makabritet prej njeriu frikacak, është një “gjetje” jo vetëm amorale në planin etike e njërëzore, por edhe abuzive dhe dekurajuese.”

 

Luan Rama kërkoi që të shpallet menjëherë gjendja e emergjencës, duke parë situatën e krijuar nga COVID-19.

 

“Por as realiteti pandemik, as të dhënat zyrtare që jepen qoftë nga zëdhënësi më i zellshëm për protagonizëm absurd e të panevojshëm, zoti kryeministër, apo edhe prej ministrisë së shëndetësisë për të ekzaminuarit, për ata që rezultojnë pozitiv apo edhe për ata që fatalisht kanë humbur jetën, nuk përligjin as proporcionalisht gjendjen e jashtëzakonshme të vendosur de facto, por e pashpallur më parë me ligj siç e kërkon kushtetuta! Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ka të përcaktuar qartë se kur mund të shpallet gjendja e jashtëzakonshme si masë in extremis. Ndërkaq, kurrësesi nuk mund të shpallet gjendja e jashtëzakonshme me akt normativ.  Pra, nëse do të shkojmë detyrimisht drejt asaj mase, duhet thirrur Kuvendi! Po si dhe a mund të thirret Kuvendi në këto kushte, kjo është një temë tjetër.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *