Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka njoftuar të hënën se është pranë arritjes së marrëveshjes me Lidhjen Social-Demokrate (LSDM) të Zoran Zaevit për formimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

“Ekipet e BDI-së dhe LSDM-së gjatë fundjavës dhe ditës së hënë kanë punuar intensivisht në krijimin e një marrëveshjeje cilësore, të shpejtë dhe të plotë të koalicionit në ditët e para të afatit të përcaktuar me kushtetutë prej 20 ditësh pas marrjes së mandatit. Në bisedimet e zhvilluara në nivelin e sekretarëve partiakë, është arritur përparim serioz në pothuajse të gjitha çështjet që çojnë në një marrëveshje për qeverinë”, thuhet në një komunikatë të BDI-së.

Zyrtarë të kësaj partie njoftojnë se të martën do të mbahet “takimi kryesor mes kryetarëve Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev ku pritet një marrëveshje përfundimtare për një qeveri të re, të qëndrueshme, të përkushtuar me një mandat katërvjeçar”.

“Duke pasur parasysh urgjencën dhe nevojën për të vënë shpejt në veprim institucionet kryesore në vend, për të adresuar sfidat shëndetësore dhe ekonomike që lidhen me COVID-19, në ditët në vijim shpresojmë të vazhdojë seanca konstitutive për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e BDI-së.

Nga partia e Ahmetit nuk bëjnë të ditur nëse kanë hequr dorë nga posti i kryeministrit, kërkesë kjo me të cilën garuan në zgjedhjet e 15 korrikut.

BDI-ja fillimisht kishte deklaruar se kandidati i saj për kryeministër, Naser Zyberi do të jetë kushti kryesor i kësaj partie për pjesëmarrje në qeveri, por më vonë pas zgjedhjeve, kjo parti si prioritet vendosi çështje tjera si zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për emrin, Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe Marrëveshjen e Ohrit.

Duke komentuar kërkesën e BDI-së, nga LSDM-ja disa herë kanë deklaruar se kryetari i saj, Zoran Zaev do të jetë kryeministër i vendit. Ai të premten e kaluar u nominua si kandidat për kryeministër nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.

Opozita shqiptare e përbërë nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kërkojnë nga BDI-ja që të përmbushë zotimin e saj për kryeministër shqiptarë, në të kundërtën kërkojnë të kaloj në opozitë.

BDI dhe LSDM, së bashku kanë 61 vota aq sa nevojitet për formimin e qeverisë së re./ R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *