Subscribe

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, zhvilloi një analizë pune mëngjesin e kësaj të marte me autoritetet kryesore që operojnë në Portin e Durrësit.

 

Ministri Lleshaj u shpreh se qeveria shqiptare është angazhuar që në kuadër të përmirësimit të shërbimeve t’i kushtojë një rëndësi të madhe Portit të Durrësit.

 

“Porti i Durrësit është porta kryesore në Shqipëri. Prej këtu lëviz rreth 40% e volumit të mallrave. Po kështu, po kaq përqind e të ardhurave që gjenerohen në nivelin e doganave shqiptare, kryhet përmes këtij porti dhe besoj që dalim në përfundimin, që në qoftë se këtu kalojnë rreth 40% e të mirave dhe një përqindje e problemit po ashtu kalojnë përmes këtij Porti. Duhet të jemi fare të qartë që nevoja për përmirësim në Portin e Durrësit është e jashtëzakonshme. Me gjithë përmirësimet e bëra, të cilat mund të përcaktohen lehtësisht prej secilit prej nesh, i cili e ka frekuentuar këtë Port në cilësime të ndryshme, qoftë si udhëtar, qoftë si punonjës i shtetit konstatohet progres, por ama është po ashtu e rëndësishme të shënohet që nevoja për përmirësim është e madhe.”

 

Lleshaj theksoi se qeveria pas problematikave të evidentuara në këtë port si çështja e trafiqeve apo e kontrabantës ka vendosur që të bëjë ndërhyrje të thella me qëllim përmirësimin e standardeve.

 

“Kohët e fundit ne kemi bërë disa sondazhe të vogla, të cilat na kanë provuar faktin që ka nevojë dhe për sondazhe dhe për ndërhyrje më të thella. Më së fundmi, gjatë një kontrolli në strukturat e policisë kufitare kemi evidentuar probleme të rëndësishme, të cilat tregojnë që nevoja për ndërhyrje të thella në drejtim të përmirësimit të standardeve të funksionimit të të gjitha institucioneve që funksionojnë në Port është e lartë.”

 

Ai u kërkoi drejtuesve të portit që bëjnë një panoramë të të gjitha problematikave me qëllim që ato të përmirësohen në të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *