Subscribe

Adriatik Llalla ndodhet prej pak kohesh në Turqi. Prokura e lëshuar për avokatin që e përfaqëson para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, është nënshkruar nga Llalla në Turqi, mban datën 28 Maj. Ndërkohë që ligjërimi i saj është bërë përmes vulës apustile nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

 

Në seancën e dytë ndaj ish-kreut të akuzës pas dorëheqjes, Komisionerit Publik Florian Ballhysa, argumentoi se Llalla duhet ti nënshtrohet vetingut.

 

Komisioneri theksoi se pas largimit nga detyra e kryeprokurorit, sipas ligjit Adriatik Llalla merr automatikisht statusin e magjistratit e për pasojë duhet të kalojë vettingun. Mosdorëzimi i dorëheqjes para Këshillit të lartë të Drejtësisë, në kushtet kur Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë, nuk janë ngritur, është argumenti që duhet të shtyjë trupën gjykuese të rikthejë çështjen për vetting.

 

Por Përkundër pretendimeve të Komisionerit Publik, avokati Sokol Hazizaj, theksoi se dorëheqjen Adriatik Llalla e ka kryer para Presidentit të Republikës, i cili njëherësh drejton Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Sipas tij akti i dorëheqjes është i sanksionuar në Kushtetutë si e drejtë ligjore dhe askush nuk mund ta zhbëjë.

 

Hazizaj, tha se në vitin 2008, para se Llalla të drejtonte Inspektoratin e Kontrollit të Pasurive, Presidenti i kohës shpalli dekretin që e zhvishte nga statusi i prokurorit, të cilin e mbante prej vitit 1999.

 

Po ashtu, avokati mbrojtës theksoi se ka pasur një urdhër të Kuvendit të Shqipërisë, për largimin e Adriatik Llalla nga organi i akuzës, pas emërimit të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme.

 

Seanca e fundit para vendimit të Kolegjit të Apelimi, do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme, ku palët do të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *