Agjencia e Statistikave të Kosovës sot nis procesin e regjistrimit të popullsisë, që do të zgjasë deri më 17 maj. Pjesëmarrja në regjistrim kërkohet me ligj, e në rast refuzimi qytetarët mund të penalizohen me shumën nga 30 deri në 2.000 euro për person.
Por pavarësisht paralajmërimeve Lista Serbe ka bërë të ditur se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë.
“Të nderuar qytetarë! Dëshirojmë t’i dërgojmë një mesazh të qartë Albin Kurtit dhe ata që e mbështesin atë se populli serb nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e ardhshëm të rremë, me të cilin ai dëshiron të konfirmojë suksesin e tij të turpshëm në dëbimin e serbëve.”
Sipas Listës serbe vendimet e qeverisë së Kosovës po dëmtojnë komunitetin serb në veri
“Proceset e organizuara nga Kurti do të ishin poshtërimi më i madh për popullin tonë, në kohën kur ai u mohoi serbëve të drejtën për pensione dhe paga, pengoi funksionimin normal të shëndetësisë dhe përfitimeve sociale, hoqi të drejtën e votës, arrestoi dhe persekutoi serbët.”
Gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2011, procesi nuk u zhvillua në katër komunat me shumicë serbe në veri dhe u bojkotua pjesërisht edhe në disa komuna te tjera me prani serbe./vizionplus.tv





