Ish-nënkryetari i Forumit Rinor në PD, Lisandër Hoxha është një nga zërat që kërkon largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD. Gjatë një interviste për edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, me moderatoren Pranvera Borakaj, Hoxha deklaroi se PD sot ngjason me një sekt dhe prandaj ka nevojë për reformim.

 

“PD dhe gjithë shoqëria shqiptare është kundër hajdutëve të votave në parim, por procesi kishte një fitues të qartë, që nuk është PD. Debati nuk duhet të sillet rreth Bashës, a je pro apo kundër. Flasim për një parti politike që ka bërë histori në këtë vend që është kthyer në një instrument sektar dhe atë shtëpi lirie sot po e trajtojnë sikur të jetë kulla e ngujimit të gjakmarrjes. Sjhkova për të dhënë një platformë zgjidhjeje, për të thënë që jemi në krizë dhe kjo është zgjidhja. Unë nuk merrem fare me Lulzim Bashën, është e rëndësishme strategjia jonë politike sesi duam ta bëjmë Shqipërinë më të mirë. Në radhë të parë, duhet të pranojmë që jemi në krizë. Një “mea culpa”, një “më fal” njëri-tjetrit. Shqiptarët nuk kanë kohë të presin këto lloj lojërash. Rezultati zgjedhor nuk do të kthehet. Këto janë gjëra që nuk do të ndodhin, po e përdorin këtë për të fituar kohë.”

 

Nga Basha, ai kërkon si fillim të marrë përgjegjësi politike për humbjen dhe më pas, mund të hyjë në garë për lidershipin e PD. Lisandër Hoxha paralajmëroi se do të organizojë një tur takimesh në të gjithë Shqipërinë për të dëgjuar edhe mendimin e demokratëve të thjeshtë, sesi e shohin të ardhmen e PD.

 

“Një pjesë e mbështesin, një pjesë nuk e mbështesin. Basha do të na fusë në hasmëri ne, Bardhi do të na fusë në hasmëri? Vetëm atë që do të prodhojë procesi politik, çdo emër që del si flluskë sapuni sot, nuk i shërben gjëje tjetër veç status quo-së. Unë do të shkoj në të gjithë Shqipërinë, do të filloj një tur kombëtar për të pyetur qytetarët çfarë mendojnë ata. Do ta kthejmë PD aty ku ishte, me të rinj e me të reja. Nëse ata mendojnë që duhet të kthehemi në një sekt, është e drejta e tyre. Nëse duan ta çlirojnë PD nga mbyllja sektare, do të thotë që e duan këtë forcë politike. Ata do të vendosin.”

 

I pyetur për urimin që kreu i PAA, Agron Duka i bëri këtë të shtunë PS për fitoren, Lisandër Hoxha komentoi se ky ishte një veprim i tepërt sepse mbështetësit e opozitës janë ende të mërzitur nga humbja.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *