18 të arrestuarit pas protestës kombëtare të Partisë Demokratike u liruan nga qelia ku po mbaheshin që prej të premtes.
Për nëntë prej tyre Gjykata e Tiranës arsyetoi se arresti i së premtes ishte i ligjshëm, ndërsa për nëntë të tjerët futja e tyre në qeli u konsiderua e paligjshme, ndonëse në përfundim të gjithë dolën nga burgu.
Megjithatë, 17 prej tyre janë të detyruar të paraqiten pranë policisë gjyqësore ndërsa vetëm një u la pa masë sigurie për shkak se vuan nga probleme mendore.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka tha se policia ka bashkëpunuar në prangosjen e tubuesve duke inskenuar edhe bombat me molotov që atyre iu gjetën nëpër çanta.
“Sot ishin para gjykatës, tre të mitur dhe një invalid me probleme mendore. Dy të mitur deklarojnë se nuk kanë lidhje me PD-në dhe nuk kanë qenë fare në protestë. Ju janë futur nga narko-policët shishe me benzinë në çanta. Pse? Sepse kanë ardhur nga shkolla dhe kanë pasur çantat e shkollës. Dhe narko-policia ju ka futur shishet me benzinë në çanta. Këto lloj skenarësh dikur vetëm Sigurimi i Shtetit i bënte për armikun e klasës. Nuk i kemi parë kurrë në këto. Ja ku i ke”, tha Noka.
Protesta e 20 shkurtit u shoqërua me përplasje të forta mes protestuesve të opozitës me uniformat blu. Ndaj godinës së kryeministrisë u lëshuan bomba Molotov. E sulmuar përfundoi edhe Xhamia e Namazgjasë, ku nga gazi lotsjellës, besimtarët u detyruan të mos përfundojnë do faljen.





