Në ditën e dytë të funksionimit, apeli i përgjithshëm zbuti masën e sigurisë për ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, duke e lënë në arrest në shtëpie.
Po të njëjtin vendim gjykata dha edhe për ish-vartësin e tij Fatmir Hoxha dhe përmbaruesin Alban Ruli.
Kërkesa për ndryshimin e masës u bë nga prokurorja e çështjes, Arta Marku sikundër edhe nga mbrojtësit e ligjorë të të arrestuarve, Genc Gjokutaj dhe Sokol Hazizaj.
Ky i fundit u shpreh se përbën shkelje të ligjit përcaktimi i një mase të tillë sigurie, kur nuk paraqitet rrezik.
SOKOL HAZIZAJ
Masa e sigurimit, dhënë nga shkalla e parë, nuk është në proporcion. U ndryshua masa e sigurimit nga ajo e arrestit në burg, në arrest në shtëpi për të tre.
Gjokutaj, Ruli dhe Hoxha akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe u arrestuan pasditen e 11 janarit me kërkesë të prokurorisë së Tiranës.
Ish-zyrtarët dyshohet se firmosën dokumente për të kompensuar në vlerën e 1 milionë e 200 mijë eurove Ilir Thanën, për një pronë që nuk i takonte.