Aksioni për lirimin e hapësirave publike është shtrirë në të gjithë vendin. Shkodra është ndër qytetet e fundit që i është bashkuar sot nismës për heqjen e strukturave metalike, karrigeve e tavolinave në rrugë e sheshe.
Një pjesë e bizneseve kanë nisur lirimin vullnetar të hapësirave të zëna.
Policia Bashkiake paralajmëroi se nëse nuk zbatohet urdhëri, atëherë do ketë ndërhyrje sipas ligjit.
Në Tiranë, policia vendosi përpara përgjegjësisë ligjore djalin e një 67- vjeçari që ishte arrestuar një javë më parë për zaptim të pronës së qytetarëve në zonën e Ali Demit.
Ndonëse i ati përfundoi në pranga, i biri vazhdoi ta shfrytëzonte hapësirën për parking e duke kërcënbuar qytetarët që parkonin konform rregullave.
Po ashtu edhe në qytetin tjetër bregdetar, atë të Vlorës dy persona, njëri 49- vjeç dhe tjetri 57 vjeç u proceduan penalisht pasi kishin shndërruar hapësirën publike në parkim privat.
Ndërsa në Durrës, një kioskë me strukturë druri u spostua nga mjetet e rënda të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në afërsi të Urës së Dajlanit.





