“Liria e tubimit e drejtë themelore”, delegacioni i BE-së reagon për protestën në Tiranë: Të hetohen pretendimet për dhunë policore

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar pas përshkallëzimit të protestës në Tiranë, duke shprehur shqetësim për aktet e dhunës të regjistruara gjatë tubimit.
Në reagimin e tij, Delegacioni i BE-së thekson se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Delegacioni shprehet se është në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës nga Policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve, duke kërkuar që veprimet e uniformave blu të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore.
Po ashtu, BE-ja kërkon që rastet e pretenduara të dhunës të hetohen me përparësi, ndërsa u bën thirrje të gjitha palëve të kontribuojnë në uljen e tensioneve.
“Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara”, thekson Delegacioni i Bashkimit Evropian në reagimin e tij.
Reagimi i plotë i Delegacionit të BE
Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë.
Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Ne jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi.
Inkurajojmë të gjitha palët të ulin tensionet.
Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara.




