Freedom House në raportin më të ri për lirinë e medias ngre alarmin se udhëheqësit populistë paraqesin një sfidë të re dhe në rritje për lirinë e shprehjes në shoqëritë e hapura. Raporti specifikon se ndërhyrja nga Rusia dhe Kina e ka shtuar kërcënimin.

 

Sipas organizatës që ka analizuar të dhënat nga 195 vende, në vitin 2017, 88 shtete radhiten në mesin e vendeve të lira, 59 janë me liri të pjesshme dhe 49 janë në mesin e vendeve jo të lira.

 

Shqipëria dhe Kosova ndodhen në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Maqedoninë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

 

Ndërsa Serbia dhe Kroacia, radhiten në mesin e vendeve të lira.

 

Në raport theksohet se demokracia u përball me krizën më serioze në dekada në vitin 2017, pasi parimet themelore të saj – përfshirë garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të drejtat e pakicave, liria e shtypit dhe sundimi i ligjit – u sulmuan në mbarë botën.

 

Një muaj më pare, Organizata “Gazetarët pa kufij”, vlerësoi në raportin e saj se po rritet armiqësia ndaj gazetarëve dhe ajo haptazi po trimërohet nga udhëheqësit politikë. Europa, zona me sigurinë më të madhe të medias, ka shënuar përkeqësimin më të madh këtë vit. Ndërsa Shqipëria radhitet në vendin e 75-të, një vend më lart se një vit më pare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *