Ligjvënësit amerikanë u kërkuan sqarime të enjten drejtuesve ushtarakë për balonën kineze që përgjonte në qiejt e Amerikës gjatë javës së shkuar. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, pyetja që u drejtua më shumë gjatë seancës dëgjimore ishte se përse nuk u rrëzua balona më herët.

 

 

 

Balona kineze që u godit dhe u rrëzua javën e kaluar, kishte në bord pajisje për regjistrimin e komunikimeve të rëndësishme, tha Departamenti i Shtetit të enjten. Ndërkohë, ligjvënësit po kërkonin përgjigje për pyetjen se përse balona u lejua të përshkonte të gjithë vendin përpara se të goditej. “Nuk dëshiroj që një balonë të kalojë mbi gjithë Shtetet e Bashkuara, kur mund ta kishim rrëzuar mbi ishujt Aleutianë”, tha Senatori Tester.Por, zyrtarët e lartë u thanë ligjvënësve se pati përfitime nga vendimi për të pritur. “Na dha kohë të mjaftueshme për ta studiuar balonën. Pra duke vlerësuar kapacitetet dhe mënyrat si vepron Republika Popullore e Kinës, u mbrojtëm edhe nga mbledhja e të dhënave, pasi dinim se ku gjendej balona. Së dyti, kjo na mundësoi të përzgjidhnim opsionin me më pak rrezikshmëri për civilët”, tha Melissa Dalton, Ndihmës Sekretare e Mbrojtjes.

 

 

 

Pasi morën informacione më të zgjeruara gjatë një seance informimi të klasifikuar, senatorët thanë se Shtetet e Bashkuara nuk po bëjnë mjaftueshëm për t’iu kundërvënë këtij rreziku. “Duhet t’u kërkojmë me forcë Pentagonit dhe komunitetit të zbulimit që të shtojnë përpjekjet, të jenë më vigjilentë dhe më energjikë në përballjen me këtë lloj spiunazhi dhe survejimi, që është një formë lufte”, tha Senatori Blumenthal.

 

 

Pentagoni tha se balona e rrëzuar do të ofrojë informacion të rëndësishëm për operacionet kineze të survejimit. “Kjo është pjesë e një fushate më të gjerë operacionale që Kina po ndërmerr për të kuptuar më mirë Shtetet e Bashkuara”, tha Jedidiah Royal, Zv.Ndihmës Sekretar Mbrojtjeje. Por shumë republikanë vazhdojnë të jenë të pakënaqur me reagimin e administratës së Presidentit Biden. “Një përpjekje heroike për shpërqëndrim dhe mashtrim, që pati zero besueshmëri. Administrata nuk ka asnjë shpjegim të qëndrueshëm se përse nuk e goditën më herët këtë balonë”, tha Senatori Cotton.

 

 

 

Ligjvënësit amerikanë thonë se incidenti është një pikë kthimi në marrëdhënien SHBA-Kinë. “Një shkelje flagrante e sovranitetit tonë nga një vend që pretendon se sillet me përgjegjësi. Kjo ose ishte një gabim i jashtëzakonshëm i ndonjë entiteti brenda qeverisë kineze, ose ishte një testim i vendosmërisë sonë”, tha Senatori Menendez, Kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë. Një diplomate e lartë amerikane i siguroi ligjvënësit se Shtetet e Bashkuara i përmbahen një strategjie të qartë. “Ky veprim i papërgjegjshëm nxori në pah atë që e kemi ditur prej kohësh, që Republika Popullore e Kinës është bërë më shtypëse brenda vendit dhe më agresive jashtë tij. Kjo konfirmon nevojën për të përmbushur strategjinë tonë duke investuar, duke u përshtatur, dhe duke konkuruar”, tha Wendy Sherman, Zëvendës Sekretare e Shtetit.

 

 

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi unanimisht një rezolutë të enjten ku dënohet Kina dhe i kërkohen më shumë përgjigje administratës së Presidentit Biden për vendimin që u mor se kur duhej rrëzuar balona.A

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *