Udhëheqësit e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës zhvilluan të hënën një takim ku diskutuan për krizën e emigrantëve që kanë vërshuar vitet e fundit drejt vendeve të Bashkimit Europian, pengimin e tyre dhe përmirësimin e jetës së njerëzve në Afrikë. Në takimin e mbajtur në Paris, me ftesë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, ishin të pranishëm edhe liderët e Libisë, Çadit dhe Nigerisë.

 

Në minisamitin ku morën pjesës kancelaria gjermane, Angela Merkel, kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoi, kryeministri i Italisë, Paulo Gentiloni dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, u vendos për ndarjen e një fondi të veçantë prej 50 milionë eurosh për dy vendet tranzit, Nigerinë dhe Çadin, për të siguruar kufijtë e tyre në drejtim të Libisë.

 

Presidenti i Nigerisë, Mhamadou Issofou bëri të qartë në Paris se paratë për këtë plan afatgjatë nevojiten sa më shpejtë, dhe e mira do të ishte që fondi të ndahej në muajin shtator.

 

Në takim u vendos gjithashtu që me ndihmën e agjencisë së OKB-së për refugjatët dhe emigracionin, emigrantët do të ndahen në emigrantët ekonomikë nga azilkërkues, tha Macron. Ndërsa kryeministri Italian Gentiloni u shpreh se nuk ka një zgjidhje magjike për emigrantët, por vetëm një paketë masash.

 

Bazuar në të dhënat e OKB-së, të paktën 125,000 persona kaluan Mesdheun këtë vit. Shumica e tyre kanë arritur në Itali dhe më pas në shtetet e tjera të BE-së, ndërsa më shumë se 2,400 të tjerë kanë humbur jetën në përpjekje për një jetë më të mirë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *