E premte, 13 Nëntor 2026 Takohemi N'vizion deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Liderët botërorë urojnë Trump, nga Macron te Meloni e Zelensky: Fitore historike!

Liderët botërorë kanë përcjellë urimet e tyre Republikanit Donald Trump, i cili është drejt rrugës së fitores si President i 47-të i SHBA-së.

Keir Starmer, kryeministri britanik, ka uruar Donald Trump. Edhe pse Trump ende nuk është shpallur zyrtarisht President i SHBA, Starmer thotë se ishte një “fitore historike zgjedhore”.

“Mezi pres të punoj me ju në vitet në vijim”, thotë kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar.

“Si aleatët më të afërt, ne qëndrojmë krah për krah në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe sipërmarrjes.”

Reklamë

“Nga rritja dhe siguria te inovacioni dhe teknologjia, e di se marrëdhënia speciale MB-SHBA do të vazhdojë të përparojë në të dy anët e Atlantikut për vitet në vijim.”

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, uron Trump për fitoren dhe thotë se janë gati për të punuar së bashku.

“Urime President. Gati për të punuar së bashku siç bëmë për katër vjet. Me bindjet tuaja dhe të miat. Me respekt dhe ambicie. Për më shumë paqe dhe prosperitet”, shkruan Macron.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky uron Trump për fitoren e tij mbresëlënëse dhe thotë se shpreson që SHBA do të vijojë të mbështesë Ukrainën.

“Ne presim me padurim një epokë të një SHBA-je të fortë nën udhëheqjen vendimtare të Presidentit Trump. Ne llogarisim në mbështetjen e vazhdueshme të Ukrainës nga SHBA”, ka shkruar ndër të tjera presidenti i Ukrainës.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni uron Trump dhe shprehet e sigurt se marrëdhënia SHBA-Itali do të forcohet edhe më tej.

“Në emrin tim dhe të qeverisë italiane, urimet e mia më të sinqerta për Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Italia dhe Shtetet e Bashkuara janë vende motra, të lidhura me një aleancë të fortë, vlera të përbashkëta dhe miqësi historike. Kjo është një marrëdhënie strategjike, të cilën jam i sigurt se tani do ta forcojmë edhe më shumë. Punë të mbarë President”, shkruan kryeministri italian në X.

 

Kryeministri grek Mitsotakis duke uruar Trump thotë se Greqia pret thellim të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve dhe bashkëpunim për çështje të rëndësishme rajonale dhe globale.

“Urime Donald Trump. Greqia pret të thellojë më tej partneritetin strategjik midis dy vendeve tona dhe të punojë së bashku për çështje të rëndësishme rajonale dhe globale”, shkruan kreu i qeverisë greke.

Ndërsa Presidenti turk Erdogan, shpreson që marrëdhëniet Turqi-SHBA të forcohen dhe dhe krizat dhe luftërat rajonale dhe globale, veçanërisht çështja palestineze dhe lufta Rusi-Ukrainë, do të marrin fund.

“Në këtë epokë të re, ne shpresojmë që marrëdhëniet Turqi-SHBA do të forcohen dhe krizat dhe luftërat rajonale dhe globale, veçanërisht çështja palestineze dhe lufta Rusi-Ukrainë, do të marrin fund. Besoj se do të bëhen më shumë përpjekje për një botë më të drejtë”, thotë presidenti i Turqisë në mesazhin e tij.

Vazhdo të lexosh

Reklamë