Udhëheqësit botërorë janë mbledhur në Dubai për samitin vjetor të Klimës të organizuar nga OKB ku po diskutohen sfidat dhe puna që duhet bërë për tu përballur me ndryshimet klimatike.

 

Krerë shtetesh nga Britanina e Madhe, Franca, Gjermania dhe Japonia, kanë mbërritur në samit ndërsa mungon presidenti i SHBA Joe Biden dhe ai kinez Xi Jinping, të cilët janë edhe liderët e dy vendeve më të ndotura në botë.

 

I pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama i cili tha se Shqipëria po jep kontributin e saj si një vend i vogël në zhvillim ndërsa bëri edhe një kritikë për vendet e mëdha.

 

“Barra e aksionit për klimën vazhdon të bjerë në mënyrë shpërpjesëtimore në shpatullat e vendeve në zhvillim, pavarësisht kontributit tonë minimal në këtë krizë ndërkohë që ndotësit e mëdhenj bëjnë maksimumin e tyre për të na dhënë leksione, por jo për t’u ndalur vetë. Megjithatë ajo çfarë ne bëjmë, është ajo tek e cila besojmë dhe jemi zotuar të ulim emetimet e gazrave serrë në nivel global me 20.9% deri në 2030 dhe të arrijmë asnjanësinë klimatike deri në 2050”, tha Rama.

 

Më herët Mbreti Charls i Britanisë së Madhe i cili mbajti fjalimin hapës paralajmëroi ndryshime të frikshme ndërsa iu bëri thirrje liderëve botërorë të bëjnë një kthesë të fortë.

 

“Ne jemi duke u bërë pjesë e një eksperimenti të frikshëm të ndryshimit të çdo kushti ekologjik, të gjitha përnjëherë, me një ritëm që tejkalon aftësinë e natyrës për t’u përballur “, tha ai.

 

Kancelari gjerman Ofal Scholz kërkoi trefishim të kapaciteteve globale të energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030.

 

“Zgjerimi i energjive të rinovueshme po përparon, por jo me ritmin që është i nevojshëm. Zgjerimi është përshpejtuar në Gjermani, por kjo tani duhej të ndodhë në të gjithë botën”, theksoi Scholz.

 

Udhëheqës të tjerë botërorë, veçanërisht ata nga vendet në zhvillim iu kërkuan ekonomive të mëdha të ndërmarrin veprime urgjente si për të reduktuar ndotjet, ashtu edhe për të financuar humbjet dhe dëmet.

 

Samti ka grumbulluar deri më tani rreth 420 milionë dollare, fond i cili do të  shkojë si ndihmë por edhe si hua në vendet më të prekura nga ndryshimet klimatike.

 

Vendi pritës i samitit, Emiratet e Bashkuara Arabe, premtoi 100 milionë dollarë, ashtu si edhe Gjermania. Mbretëria e Bashkuar njoftoi 60 milionë £, ndërsa SHBA-ja do të japë vetëm 17.5 milionë dollar për fondin, e ndjekur nga Japonia me 10 milionë dollarë.

 

Liderët nënshkruan gjithshtu një deklaratë për sistemet ushqimore dhe përdorimin e tokës.

 

Samti i klimës në Dubai i cili po konsiderohet më i madhi ndr vite do të zgjasë për dy javë. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *