Ujërat në Partinë Demokratike janë trazuar shumë gjatë ditëve të fundit, që pas “kafes” mes të pakënaqurve javën e shkuar, dhe nisja e një tjetër foltorje nga ana e Ervin Salianjit në Durrës ditën e djeshme.
Vetë reagimi i kreut të PD, Sali Berisha jashtë Kuvendit, tregoi qartë se lëvizja e Salianjit dhe Alimehmetit jo vetëm që nuk i pëlqen, por la të nënkuptohet se kjo i shërben Edi Ramës, ashtu siç rëndom akuzohet çdokush që do të ngrihet kundër lidershipit në selinë blu.
Politologu Ermal Hasimja i ftuar në QUO VADIS të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, tha se Ervin Salianji është e vetmja figurë brenda PD që aktualisht është i pasulmueshëm.
Sipas tij Salianji është në një pozitë të fortë pasi ka dhënë gjithçka për PD.
Pjesë nga biseda:
Hasimja: Është një nga njerëzit që mund ta bënte këtë gjë.
Borakaj: Nuk ka çfarë humb?
Hasimja: Kur dikush nis një proces kontestimi kundrejt liderit të PD, do të duhet të ishte dikush që ka kapital politik, nuk mund të ishte dikush tjetër. Salianji nuk është i panjohur, i shtohen pikët që ka sakrifikuar për PD, goxha shumë. Në këtë aspekt Salianji është i pasulmueshëm. Mund t’u ketë pëlqyer njerëzve ose jo, kjo është gjë tjetër. Ne pamë shkopin e bejzbollit sot.
Meta: Po atë shkop e ngriti Salianji.
Hasimja: Po nuk është vetëm Salianji aty.
Meta: Por mendoj se ka shumë demokratë që sot nuk ia falin.
Hasimja: Nëse duhet akuzuar dikush, aty mund të akuzosh direkt Berishën. A është apo nuk është koha e duhur, koha e duhur është gjithmonë. Në momentin që një parti humb zgjedhjet aty është koha për të kërkuar llogari.





