Kryetari i PD, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet ndaj ish-deputetit Ervin Salianji, duke e cilësuar takimin e djeshëm në Durrës si axhendë personale të zotit Salianji. Berisha i kujtoi Salianjit se në asnjë forum të PD-së nuk ka folur për problematikat që ngriti në takimin e djeshëm.
Por ish-anëtari i kryesisë së PD, Indrit Sefa, e quajti këtë si një lëvizje pozitive, pasi PD është ndërtuar nga të rinjtë, është drejtuar nga të rinjtë dhe u takon të rinjve.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Roland Zilin, Sefa deklaroi se tani Partia Demokratike është një organizëm i mykur dhe se askush nuk mban përgjegjësi, madje as Berisha.
Ai i quajti deputetët aktualë të opozitës, që nuk po mbështesin lëvizjen “Salianji”, si funksionarë të PD-së, të varur nga Berisha.
Sipas ekspertit, Partia Demokratike sot është në këtë gjendje vetëm sepse nuk është alternativë.
INTERVISTA E PLOTË:
Si e lexoni ju lëvizjen e fundit Salianjit dhe të mbështetur edhe nga Alimehmeti?
Sefa: Më në fund, në Partinë Demokratike dolën ata që duhet të dalin, dy djem të rinj, sepse në fund të fundit Partia Demokratike është ndërtuar nga të rinjtë, është drejtuar nga të rinjtë dhe u takon të rinjve. Është një parti e cila është ndërtuar në frymën e të rinjve. Do të jenë të rinjtë që do t’i japin imazhin e tyre Partisë Demokratike dhe do të jenë ata që do të thonë disa të vërteta. Sot Partia Demokratike është një organizëm i mykur. Është një organizëm i cili nuk flet askush për asgjë. Asnjëri nuk mban përgjegjësi dhe askush nuk ka përgjegjësi, aq më pak zoti Berisha. Zoti Berisha trajtohet si një gjysmë qenie, si një gjysmë njeri, gjysmë perëndi. As rregullat e statutit nuk zbatohen për zotin Berisha, por as rezultatet nuk mund të kalojnë te zoti Berisha. Unë kam parë shumë anëtarë kryesie dhe shumë drejtues të lartë demokratikë që thonë: Duhet të ikin të gjithë, por vetëm zoti Berisha jo.
Ne sot pamë disa nga deputetët e PD-së, të cilët kur janë pyetur lidhur me këtë lëvizje, kanë thënë: Keni ndonjë pyetje lidhur me atë që po ndodh brenda mazhorancës? Pra, duke lënë të kuptohet se ky nuk është momenti i duhur për të bërë këtë lëvizje. Ju si mendoni?
Sefa: Po kur është momenti i duhur? Kur të bëjmë prapë zgjedhjet? Këto ishin përgjigje evazive, të cilat nuk kanë thelb asgjë. Ata janë aty për të treguar, së pari, duhet t’u japin alternativë qytetarëve shqiptarë. Nëse Partia Demokratike sot është në këtë gjendje, është sepse nuk është alternativë. Unë kam parë dhe kam dëgjuar edhe disa komente të tjera që janë akoma më të tmerrshme, që ua vënë fajin qytetarëve shqiptarë. Thonë: Nuk është faj i qytetarëve shqiptarë që nuk reagojnë dhe nuk mbështesin opozitën. Jo,, qytetarët shqiptarë mbështesin kur ti perceptohesh si alternativë. Në rast se ti je një organizëm i cili është pa jetë, është pa strukturë, është një organizëm që nuk përçon frymëzim te qytetarët shqiptarë, atëherë edhe qytetarët nuk do të të ndjekin. Kjo është e pakonceptueshme se si një opozitë nuk i shikon fajin te vetja më së pari, pastaj të merret me kundërshtarin. Ti rregullosh shtëpinë tënde, pasi të kesh mbaruar së rregulluari shtëpinë tënde, atëherë, patjetër, je një alternativë e përshtatshme për qytetarët shqiptarë dhe aty fillon rrëzimi i Edi Ramës.
Çfarë pritet të ndodhë me PD-në, në kushtet kur Salianji është shprehur se kjo foltore e tij dhe e të tjerëve që e mbështesin nuk do të ndalet? A rrezikon, me fjalë të tjera, PD-ja një tjetër përçarje?
Sefa: Po si mund të jetë përçarje kur çdo gjë bëhet brenda strukturave të Partisë Demokratike? Tani, ky takim i Ervin Salianit dhe doktor Alimehmetit a pati reagim pozitiv brenda Partisë Demokratike? U kujtua PD-ja tani më në fund që do bëjë një analizë. Pse s’e bëri për zgjedhjet e 2023-shit, apo pse s’e bëri për zgjedhjet e 2025-s? Kanë kaluar gjashtë muaj nga zgjedhjet e 2025-s. U kujtua tani PD-ja për të bërë analizë. Ja pra që kjo solli një frymë pozitive. U kujtuan këta udhëheqësit e mëdhenj të Partisë Demokratike që të mbledhin kryesitë, bëjnë takime nëpër kryesi, edhe të analizojnë performancën e partisë. Kjo është pra, në rast se është një ujë që rri i ndenjur, atëherë nuk lëviz asnjë gjë. Duhet turbulluar.
Si e shikoni faktin që mbështetja po vjen nga figura që kanë marrë vota në zgjedhjet e fundit, por nuk janë bërë dot deputetë, dhe nga ana tjetër deputetët aktualë nuk po japinmbështetje për këtë lëvizje?
Sefa: Nuk janë deputetë ata. Ata janë funksionarë të Partisë Demokratike. Ata i ka vendosur Sali Berisha që të kenë një funksion në Partinë Demokratike, që është funksioni i deputetit. Ata nuk përfaqësojnë asgjë, nuk përfaqësojnë as elektorat, as bazën e Partisë Demokratike, praktikisht asgjë. Ata janë njerëz funksionarë të Partisë Demokratike, të cilët disa paguhen nga Partia Demokratike me rroga, si administratë. Ata që kanë më shumë fat dhe i besohen më shumë zotit Berisha, e marrin rrogën nga Parlamenti i Republikës së Shqipërisë. Të paktën ata deputetë që janë aty, që janë votuar nga qytetarët shqiptarë, të cilët kanë marrë besimin e qytetarëve shqiptarë dhe janë dinjitozë përballë qytetarëve shqiptarë, dalin dhe janë zëri i qytetarëve shqiptarë dhe i votës që kanë marrë në 11 maj.
/vizionplus.tv





