Lëvizja Për Universitetin ka denoncuar dhunën e ushtruar nga militantët partiak ndaj studentëve.

 

Në një postim në “Facebook”, Lëvizja për Universitetin deklaron se për të tretën ditë radhazi janë sulmuar dhe dhunuar fizikisht nga militantët partiakë studentët.

 

Sipas Lëvizjes Për Universitetin shumica e agresorëve janë nga radhët e Partisë Demokratike, ndërsa I kanë bërë thirrje Lulzim Bashës që të tërhiqet nga aktet e dhunës si dhe të gjitha partive të tjera.

 

“Sot, për të tretën ditë radhazi, studentë dhe veprimtarë të Lëvizjes Për Universitetin janë sulmuar fizikisht, kërcënuar dhe ofenduar nga rrugaçë partiakë. Goditje me çelësa, tërheqje nga flokët, shkelma, shuplaka dhe grushte, janë format kryesore të dhunës me të cilat të rinjtë janë përballur. Të paktën 12 raste sulmesh të tilla nga keqbërës të partive janë evidentuar gjatë këtyre ditëve, prej të cilave, shumica e të cenuarve kanë qenë vajza. Në pjesën më të madhe të këtyre rasteve, agresorët kanë qenë të forumeve të Partisë Demokratike. U bëjmë thirrje strukturave drejtuese të PD-së, si dhe kryetarit Lulzim Basha, që të tërhiqen nga aktet e dhunës dhe metodat e tjera që synojnë intimidim dhe përçarje. E njëjta thirrje vlen edhe për drejtuesit e partive të tjera, për të ndalur dhe për t’u distancuar nga çdo formë dhune apo presioni.”

 

Lëvizja Për Universitetin thotë më tej se studentët në protestë para Ministrisë së Arsimit po përballen me një fushatë të koordinuar dezinformimi dhe orvatjesh për t’i përçarë.

 

Lëvizja u bën thirrje të gjitha partive politike që të ndalin veprimet përçarëse ndaj studentëve.

 

“Përmes shpifjeve të përhapura nga disa kanale dhe në disa nivele është tentuar të përhapet edhe gënjeshtra sikur Lëvizja ka penguar protestues të “Astirit” që t’u bashkoheshin protestës. Jo vetëm që kjo gënjeshtër u zbulua nga mungesa e fakteve që lidhin studentët e Lëvizjes me rastin në fjalë, por edhe vetë akuzuesit kanë pretenduar më vonë përmes fotove se bëhej fjalë për ndonjë veprimtar partiak që nuk e lidh asgjë me ne. Gjithashtu, dënojmë çdo akt dhune apo nxitje për dhunë nga militantët e partive. Këto dy ditë, studentë të Lëvizjes, vajza dhe djem, janë bërë objekt i një sërë sulmesh fizike nga rrugaçë partish politike. Mbrojtja jonë e vetme ka qenë masa studentore që në çdo tentativë na ka dalë në krah”

 

Sipas Lëvizjes Për Universitetin protesta e studentëve ka vetëm një objektiv qendror: pranimi pa kushte i kërkesave themelore të studentëve, çka nuk lë hapësirë për negociata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *