Teksa opozita hedh akuza për masakër zgjedhore, ish-ministrja Valentina Leskaj shprehu shqetësimin se mospranimi i rezultatit të zgjedhjeve po kthehet në kulturë për politikën shqiptare.

 

E ftuar në “Quo Vadis”, në “Vizion Plus”, me moderatoren Pranvera Borakaj, Leskaj tha se partitë politike nuk pranojnë rezultatin e zgjedhjeve vetëm për të mbajtur të karikuar elektoratin. Duke mos kursyer kritikat, ish-ministrja shtoi se në këtë mënyrë shkohet vetëm te gjuha e urrejtjes.

 

“Ne kemi një kulturë të mospranimit të rezultatit të zgjedhjeve. Nuk është arsyeja tranzicioni i gjatë, në Kosovë u pranua menjëherë rezultati i zgjedhjeve. Ky është problem kulturor dhe lidhet edhe me mënyrën sesi është konceptuar politika në Shqipëri. Politika është e dominuar nga lufta që bëjmë kundër tjetrit. Në opozitë, qasja shpesh është kundër. Kjo qasja kundër tjetrit, të çon drejt mospranimit të rezultatit dhe drejt gjuhës së urrejtjes. Kjo çështja e mospranimit të zgjedhjeve bëhet si një ushqim për elektoratin, për mbajtjen e elektoratit. Për mua, kjo është pika më e dobët e partive politike. Një parti politike që ka çfarë u ofron zgjedhësve, ka alternativë, nuk ka nevojë për gjuhë urrejtjeje. Mospranimi i zgjedhjeve po kthehet në një kulturë, gjë që është shumë e dëmshme.”

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *