Fitore edhe në javën e 27-të të Premier-League-ës, dhe Leicester City duket se ka rifituar fytyrën e asaj skuadre të humbur. Paçka se zëra të ndryshëm përflasin tanimë edhe emrin e Roy Hodgson si kandidat për stolin, 53-vjecari Graig Shakespeare gëzon faktin se i njeh plotësisht të gjithë lojtarët.

 

Të shtunën përballë Hull City-it, dhelprat fituan 3-1 në një ndeshje ku apelit, pas Jamie Vardy-it, iu përgjigj edhe Riyad Mahrez. Algjeriani mundësoi përmbysjen duke dëshmuar një lojë me karakter, pikërisht një element ky që i mungonte kampionëve të Anglisë që prej vitit të kaluar.

 

Pas fitores së radhës, që i mundëson Leicester-it ngjitjen në vendin e 15-të, 5 pikë larg rënies nga kategoria, lojtarët i kanë thurrur lavda trajnerit të përkohshëm Shakeseare. “Askush nuk e njeh skuadrën më mirë se Craig” – tha austriaku Fuchs për BBC-në. Në fakt 53-vjecari ka qenë me klubin që në vitin 2008-të, dhe me vetëm një vit largim, në periudhën 2010-2011-të, ai ka qenë asistent i Nigel Pearson dhe Claudio Ranierit.

 

Lojtarët ndihen rehat me Shakespeare, i cili duket se nuk i ushtron aspak presion atyre. Nën drejtimin e tij, në dy ndeshjet e fundit dhelprat kanë shënuar 6 gola, 2 më pak se në 11 ndeshjet e fundit që skuadra qe nën drejtimin e Ranierit. Edhe pse ende nuk është bërë zyrtare se kush do të jetë në krye të skuadrës, grupi ka udhëtuar për në Dubai, atje ku thuhet se do të qëndrojë për këtë javë, për t’u organizuar tërësisht në plan për sfidën e kthimit në Champions League me Sevillan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *