Subscribe

Nga e Hëna e 13 prillit zgjerohet orari për shërbimet ushqimore, farmaceutike dhe bankare. Ato do të qëndrojnë të hapura deri në orën pesë e gjysmë të pasdites. Masa e re është komunikuar nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Në kushtet kur duhet të përballojmë dyzet ditë shumë të rëndësishme, për fitoren e kësaj faze vendimtare të rezistencës sonë të përbashkët, që të blindojmë rezultatet e arritura me sakrificë ditë pas dite dhe të mbajmë të mbyllur çdo shteg rikthimi të armikut, do të zgjerojmë fashën orare të shërbimeve ushqimore, farmaceutike dhe bankare, deri në orën 17.30

 

Vendimi për të lejuar përdorimin e makinave personale nuk është marrë ende. Sipas kreut të qeverisë do të pritet kurba e të infektuarëve deri të Dielën, për t’i dhënë mundësinë qytetarëve të përdorim mjetet e tyre për të shkuar në punë apo për të bërë blerjet e ditës, por rreptësisht të ndaluar që të marrin në makinë pensionistë.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Do të zgjerojmë brenda javës së ardhshme, nëse kurba e infeksionit do të qëndrojë në trendin aktual, mundësinë e lëvizjes me automjet privat të atyre që punojnë në hapësirën e lejuar të aktivitetit ekonomik.

 

Javën e ardhshme do të prezantohet rregullorja që do të ndjekin bizneset e vogla që do t’i rikthehen aktivitetit të tyre. Është njoftuar se duhet të pajisen me masa mbrojtëse, maska, dezinfektues dhe respektimin e distancës mes klientëve.

 

Tre pikat në të cilat do të zgjerohet paketa ekonomike. E para, pagën e luftës pritet ta përfitojnë:

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Bizneset e vogla që edhe pse nuk u mbyllën gjatë kësaj periudhe, u goditën ndjeshëm në xhiron e tyre si pasojë e luftës, si për shembull agjenci turistike, rrobaqepësi e mobileri të vogla, hidraulikë, elektriçistë, fizioterapi, kancelari, servise makinash e lavazhe të liçencuar, përfshirë edhe shoferët e taksive e të linjave të transportit urban e punonjësit e tyre.

 

Ndihma e dytë do të jetë për punonjësit e bizneseve të mëdha.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Punonjësit e bizneseve të mëdha, që bazuar në listë-pagesat e fundit të ditës së djeshme, figurojnë të goditur nga lufta në vendin e tyre të punës, të cilëve do t’u sigurojmë mjetet e nevojshme financiare të rezistencës për dyzetë ditët vendimtare në vijim, duke mbajtur parasysh se një pjesë e madhe e tyre mund të rikthehen në punë deri në fund të majit dhe se paketa mund të ri-zgjerohet, sipas dinamikës e nevojave të luftës në 10 ditëshin e fundit të muajit maj.

 

Kreu i qeverisë njofton se mbështetje financiare do të përfitojë edhe sektori i turizmit dhe fasonerisë.  Paralajmërimi për shkelësit e rregullave mbetet i njëjtë. Kush nuk i respekton masat ndëshkimore do të jenë të rënda deri në heqje të lirisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *