Kryetari i PD-së Lulzim Basha, i cili ndodhet në Berlin duke marrë pjesë në Kongresin Ekonomik të Unionit Kristiandemokrat/Kristiansocial, në bisedë për DW thekson, se opozita u përmbahet kërkesave të saj dhe se kriza mund të zgjidhet vetëm përmes marrjes së përgjegjësive politike, largimit të kryeministri Rama dhe krijimit të qeverisë tranzitore për të shkruar drejt zgjedhjeve të reja.
“Standardet evropiane dhe precedentët evropianë e parashtrojnë fare qartë rrugën e zgjidhjes së kësaj krize. Ajo kalon përmes largimit të Edi Ramës, një qeverie tranzitore dhe garantimit të standardeve zgjedhore si hap i parë, ndërkohë që Partia Demokratike dhe opozita ka një platformë që është pjesë e një dialogu kombëtar për një reformë të thellë kushtetuese, që do të garantojë balancimin dhe ndarjen e pushteteve dhe që kurrë më Shqipëria të mos përfundojë në këtë situatë, ku një grup njerëzish, një grup politikanësh, një grup kriminelësh, një grup oligarkësh kanë marrë peng gjithë vendin.
Pyetjes së gazetarës së DW, se ka shumë përfaqësues të CDU/CSU-së, edhe deputetë gjerman, që thonë se nuk është vertetuar akoma që zoti Rama është kapur në raste korrupsioni, apo edhe në përgjime e në dosjet që pretendon opozita, Lulzim Basha iu përgjigj kështu:
Shiko, Gjermania është një vend i madh dhe këtu ka lindur një koncept politik “verstehers”, ka Putin-verstehers, ka edhe Rama-verstehers, por qendrimi zyrtar dhe, me siguri, këtë ju ua shpjegoni teleshikuesve tuaj se çdo të thotë verstehers. Do të thotë dikush që mundohet të justifikojë veprime apo sjellje të pajustifikueshme për normat dhe standardet evropiane. Putin-verstehers janë ata politikanë në Gjermani, të cilët mundohen të justifikojnë sjelljen e Putinit, Rama-verstehers janë ata politikanë në Gjermani që mundohen të justifikojnë sjelljen e Edi Ramës. Qendrimi zyrtar është i qartë dhe i prerë. Natyrisht ne e kemi dëgjuar thirrjen e tyre për dialog. Kam patur mundësinë të shpreh angazhimin total në emër të opozitës dhe, natyrisht, të Partisë Demokratike për zgjidhjen e kësaj krize. Kërkesa e vetme, e cila ka gjetur mirëkuptim të plotë është përmbajtja e standardeve evropiane. Standardet evropiane, në këtë rast, e parashtrojnë fare qartë rrugën e zgjidhjes së kësaj krize.
Basha theksoi me tej se veprimet e opozitës, djegia e mandateve dhe protestat e vazhdueshme erdhen si pasojëne krizës së thelle politike dhe kushtetuese duke nenvizuar këtu edhe problemet ne sistemin e drejtësisë.
“Padyshim që, hapi i marrë nga opozita, është një hap i fortë, i paprecedent, por, nga ana tjetër, ka shërbyer për të ilustruar krizën e paprecedentë ku ndodhet vendi – pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, me një prokuror të përkohshëm të emëruar në mënyrë antikushtetuese, pa asnjë hetim domethënës në çêshtjet e mëdha, në luftën ndaj korrupsionit dhe në luftën ndaj krimit të organizuar. Pra stanjacioni total, kriza e thellë politike dhe kushtetuese janë arsyeja që kanë çuar në veprimet e opozitës. Ajo që po diskutojmë sot është rruga e daljes nga kjo krizë. Në këtë kuadër, qendrimi ynë është i qartë. Kjo krizë mund të zgjidhet vetëm duke aplikuar standardet dhe precedentët evropianë. Në cilin vend të Evropës nuk do të kishte dhënë dorëheqjen një kryeministër, i cili është kapur bashkë me kupolën e tij duke asgjësuar procesin zgjedhor, që është kapur në afera të tmerrshme korruptive, ndërkohë që drejtësia duket se është e paralizuar dhe nuk është në gjendje t’u japë përgjigje këtyre skandaleve?!”
Por a është I gatshëm Basha të futet në dialog lideri i PD me Ramën pasi ky I fundit I ka dërguar 7 letra deri tani?
Kjo nuk është çështje personale midis meje dhe zotit Rama. Këtu bëhet fjalë për një qasje serioze dhe një përkushtim të dimensionit europian.Prandaj, ndodhem sot unë këtu dhe jo zoti Rama. Prandaj ndodhem unë sot këtu si interlokutori i autoriteteve gjermane dhe i kapitalit te industrisë gjermane, sepse zoti Rama ka humbur shansin të tregojë seriozitet me përkushtimin ndaj standardit europian. Si mund të pritet nje zgjidhje përmes letrave, ndërkohë që nuk trajton problemet kryesore të krizës? Problemi kryesor i krizës është një Parlament i dalë nga vota e vjedhur me krimin e organizuar. Problemi kryesor i krizës është rënia e të gjithë institucioneve të drejtësisë, kapja e te gjithë pushteteve në një dorë. Problemi kryesor i krizës është mungesa totale, siç vihet re edhe këtu, e investimeve perendimore apo i investimeve gjermane. Është rënia e ekonomisë ne duart e krimit të organizuar. Sot në Shqipëri aktiviteti kryesor ekonomik, është pastrimi i parave te pista. Shkaktari i këtyre problemeve nuk mund të jetë zgjidhja e këtyre problemeve. Ndaj, parashtrimi i opozitës, zgjidhja politike që ne kemi parashtruar është rruga e vetme për të shmangur konfliktin civil, për të shmangur çmendurinë e shkuarjes drejt zgjedhjeve fallco, moniste, prapë të diktuar nga krimi, prapë me kandidatë kriminelë dhe mbylljes përfundimtare të derës së Europës. Ndaj, mund t’ju them nga Berlini, ju dhe teleshikuesve tuaj, se jam me shumë shpresë nga këto takime, tashmë në gjysmën e aktivitetit tim, – do të vazhdoj edhe gjatë pjesës tjetër të ditës, në takime të nivelit të lartë, – se me ndihmën e partnerëve gjermanë, me ndihmën e partnerëve europianë, ne do të mund ta tejkalojmë këtë krizë, do ta hapim rrugën e Europës. Por kjo kalon përmes marrjes së përgjegjësive politike nga shkaktarët e kësaj krizës, përmes largimit të Edi Ramës, një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Basha shtoi për DW se ai I përket brezit të ri të politikanëve ndryshe nga sa akuzohet se ka qënë pjesë e qeverisë së kohës së Berishës në disa pozicione të rëndësishme. Ai u shpreh besimplotë se nëser me besimin e shqiptarëve do të jetë kryeminister I vendit.
Unë jam brezi i ri. Do apo nuk do zoti Rama apo lakejtë e tij, unë jam brezi i ri. Unë kam ardhur si pjesë e brezit të ri dhe përfaqësoj vlerat europiane të besimit tek demokracia, tek zgjedhjet e lira e të ndershme. Jam njeri që kurrë nuk kam bërë kompromis me krimin, edhe kur kjo i ka sjellë faturë politike partisë sime. Në këtë kuptim, jam i bindur se përfaqësoj atë qe i duhet Shqipërisë: një politikë të ndarë nga krimi dhe vullnet politik për të mos kompromentuar interesin e shqiptarëve për shkak të karriges. Pra, qartësisht, nuk jemi njësoj dhe të barabartë. Kemi një qeveri që qeveris prej 6 vjet e gjysëm, kemi një opozitë dhe një kryetar opozite që ka luftuar kundër krimit të organizuar, kundër kanabizimit, kundër aferave të tmerrshme korruptive, kur askush nuk e hapte gojën. Prandaj ndodhem sot këtu, si përfaqësues i një gjenerate të re të shqiptarëve, si një njeri që ka privilegjin dhe përgjegjësinë të drejtojë një parti politike dhe një opozitë, të bashkuar rreth vlerave, programit dhe vizionit europian për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Kjo është arsyeja pse ndodhem këtu, si një partner i besueshëm i Gjermanisë, sot si kryetar i opozitës dhe nesër, me besimin e qytetarëve shqiptarë, në drejtimin e një qeverie europiane, me zgjedhje të lira e të ndershme./DW






Do te behen gorricat kete vit, sepse me pelqejne mua- i ka thene Merkelit Luli i Salehut