Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Ambasadën norvegjeze në Kosovë dhe me mbështetjen e British Council në Tiranë, organizuan gjatë mbrëmjes së djeshme aktivitetin lançues të konkursit fotografik #ColoursofAlbania – Ngjyrat e Shqipërisë 2017.

 

Kjo nismë u promovua për herë të parë në vitin 2015 dhe në vijim të traditës së krijuar, këtë vit bëri pjesë publikun e huaj dhe shqiptar në konkursin fotografik në mediat sociale, duke synuar që të gjithë të luajnë rolin e tyre si “Ambasadorë të vendit tonë”. Përgjatë muajit prill dhe maj, nëpërmjet lentes së aparatit fotografik pritet të mblidhen rreth 10.000 foto, të cilat synojnë të promovojë bukuritë shqiptare nëpërmjet syve të qytetarëve, të rinjve apo të apasionuarve pas fotografisë.

 

Konkursi #ColoursofAlbania është një platformë për mbështetjen e “diplomatëve dixhitalë” shqiptarë nëpër botë në promovimin e plotë të Shqipërisë së gjallë, historike e kulturore.

 

Këtë vit, MPJ zgjodhi shtëpinë e fotografisë, Muzeun Kombëtar i Fotografisë Marubi, pasi nuk do të kishte kuptim në këto tre vite të kësaj nisme, të mos bashkonim historinë e fotografisë me të ardhmen e saj.

 

Ministri Bushati, nismëtar i tre edicioneve të Ngjyrave të Shqipërisë, u shpreh se “Konkursi #ColoursofAlbania është një instrument efikas në përcjelljen e atyre vlerave dhe traditave që na bëjnë krenarë të jemi shqiptarë. Sepse bukuritë e vendit tonë, hijeshitë e maleve e luginave tona nuk mund të kuptohen pa ekzistencën e popullit tonë. Colours of Albania do të thotë ngjyrat e Shqipërisë. Dhe fjala ‘ngjyrë‘ më sjell në mendje dy forma të artit pamor, fotografinë dhe pikturën që Shkodra jo vetëm i ka lëvruar por ka qenë pararoja e Shqipërisë – vuri në pah ai”.

 

Ambasadori norvegjez ne Shqipëri dhe Kosovë, Per Strand Sjaastad, nënvizoi faktin se mbështetja që Qeveria norvegjeze i bën këtij projekti në Kosovë dhe Shqipëri ka synimin që të ndihmojë në njohjen më të mirë të Shqipërisë dhe Kosovës në botë, duke përdorur rrjetet sociale për promovimin e vlerave më të mira dhe trashëgimisë suaj të pasur. “Imazhi i një vendi përbëhet nga copëza dhe fragmente nga të gjitha sferat dhe hapësirat e shoqërisë, të cilat nuk promovohen vetëm përmes vendimmarrjes, por sidomos nga imazhet që përcjellin njerëzit dhe sidomos të rinjtë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *