Historiani e studiuesi i njohur Artan Lame është përcjellë për në banesën e fundit. Me duartrokitje, lot e kujtime familjarë, miq, kolegë dhe qindra qytetarë i dhanë lamtumirën e parakohshme ish-kreut të Kadastrës, i cili u nda nga jeta më 23 maj, pas problemeve shëndetësore të vazhdueshme me zemrën.
Të prekur nga humbja e papritur, miqtë e konsiderojnë Lamen si një figurë të pazëvendësueshme për kontributin që i la vendit.
“E njoh prej shumë vitesh. Jeta na ka ndarë dhe bashkuar në projekte. Vendi ynë ka humbur një kujdestar të lartë dhe unik të trashëgimisë kulturore dhe historike. Kam komunikuar me të përpara kësaj fatkeqësie dhe tragjedie për familjen e tij dhe rrethin, për muzeun e koleksionit për të cilën punonte me miqtë e tij të mirë. Jam tërësisht i dërrmuar. Minimumi që të gjithë ne do bë bëjë është që të mbështesim muzeun në mënyrë që të nderojmë punën e tij”, tha ministri Blendi Gonxhja.
Të tjerë shprehen se nga sot Tiranës do t’i mungojë një njeri intelektual me dije të gjithanshme.
“Nga sot, Tiranës dhe Shqipërisë do i mungojë një njeri i ditur, që vetëofrohej për të bërë kauza të mira. Ka humbur jeta publike, jeta institucionale, por edhe shoqëria civile ka humbur një aktivist të madh. Ai ishte një intelektual me dije të gjithanshme. Ai dinte të mbronte kauzat e tij me pasionin që kishte. Ai ka mbrojtur çështjen e detit me Greqinë. Mbrojti këtë çështje si pak kush”, tha ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.
Në orën 12:00 kortezhi u nis drejt varrezave të Sharrës, ku do të prehet Artan Lame.
Ai ndërroi jetë në moshën 58 vjeçare, në Gjermani, pas një ndërhyrjeje të vështirë në zemër, nga e cila nuk arriti të rikuperohej./vizionplus.tv





