Lala: Policia po përdoret mish për top! Nano: Nuk duhet t’i përgjithsojmë të gjithë efektivët

Gazetarja e kronikës Klodiana Lala dhe ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, kanë debatuar me njëri-tjetrin në studion e “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Vizion Plus, në lidhje me sjelljen e Policisë së Shtetit gjatë këtyre tre ditëve në Tiranë.
Gazetarja Lala akuzoi Policinë e Shtetit për mosveprim në disa raste të caktuara gjatë protestës. Sipas saj, duhet thënë me zë të lartë se Policia e Shtetit është përdorur gjithmonë mish për top nga ana e politikës.
Por, nga ana tjetër, ish-drejtori Nano tha se jo të gjithë policët duhet të përgjithësohen. Ai tha se duhen parë të gjitha situatat në kompleks.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Kemi para pozitivitet kur goditen bizneset, çfarë po ndodh?
Nano: Unë nuk do ta pranoja këtë deklaratë tuajën që policia i lë vetë, sepse është jashtë logjike.
Lala: Unë e kam mbuluar nga afër protestën. Sot, në një nga bankat e nivelit të dytë, policia ndërhyri 10 minuta me vonesë, ishte 30 metra larg ngjarjes. Ditën e djeshme u deshën 15 minuta të ndërhynte. Ose ka paaftësi, ose është skenar. Ju si e shihni këtë raport?
Nano: E para, ne nuk duhet t’i përgjigjemi protestës së studentëve me ata protestues të dhunshëm që bëjnë këtë akt vandal. Është e papranueshme që shkatërrohen biznese, pasi ato familje kanë vuajtur dhe kanë investimin e jetës së tyre. Më kanë marrë në telefon e më thonin se çfarë të bëj. Çështja është që policia duhet të zbatojë një standard të caktuar.
Lala: Policia është përdorur mish për top nga politika. Ju jeni hedhur në rrugë se nuk i keni pëlqyer kryeministrit.
Nano: Në videot që kam parë, nuk e pranoj dot që policia të prishë protokollin. Kemi ne FNSH-në, e cila është e trajnuar dhe menaxhon aktivitete nga ato kulturore te protestat e dhunshme apo përmbytjet. Unë dua të them që nuk e pranoj dot që një grup punonjësish të prishin protokollin. Video që nuk të lënë shije të mirë profesionale.
Rakipi: Si ta zgjidhim?
Nano: Nuk mund të përgjithësojmë punën e policisë. Ka policë që rrinë me shërbim në kohë të zgjatur. Këta persona duhen analizuar. Pse nuk ndërhyn policia? Unë nuk mund ta them nëse është versioni një apo dy. A ka detyrimin policia të marrë informacion para se të ndodhin këto aktivitete?




